LAJMET E MBRËMJES

Vuçiqi paralajmëron takime në Bruksel, opozita kosovare kërkon raportimin e Kurtit në Kuvend

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të shkojë në Bruksel javën e ardhshme për të folur lidhur me Kosovën. Ai ka thënë se qëllimi i Perëndimit është që Serbia ta njohë Kosovën. Opozita në Serbi ka kërkuar sanksione kundër presidentit Vuçiq. E në Kosovë, PDK-ja ka kërkuar transparencë nga kryeministri Kurti për atë që është diskutuar me 5-shen euro-amerikane të shtunën.

Një ditë pas takimit që pati me 5shen euroamerikane, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do të shkojë në Bruksel gjatë javës së ardhshme për të folur lidhur me Kosovën.

Në një intervistë me televizionin pro-qeveritar Pink, derisa nuk e bëri të qartë se për çfarë takimesh bëhet fjalë, tha se perëndimi synon që Serbia ta njohë Kosovën.

“Do të shkoj në Bruksel përsëri të enjten apo të premten. Do të jetë luftë por njerëzit të mos shqetësohen. Është puna jonë dhe do të përballemi me këtë apo po?... Do të flas për Kosovën e ana, besoj se do merret me tema më të bukura”, ka thënë ai.

Ai e përsëriti se takimi i së shtunës ishte “i vështirë” për të dhe tha se nuk mund të jepte më shumë hollësi.

Ka përsëritur mesazhet e fushatës së nisur që lidhet me zgjedhjet e 17 dhjetorit, se do ta mbrojë interesin kombëtar të Serbisë.

Vuçiqi i ka portretizuar në një linjë me kryeministrin e Kosovës dhe “kundër popullit” opozitarët që quhen pro-evropianë në Serbi të cilët kanë kërkuar publikisht sanksione ndaj Vuçiqit.

“S’na ka bërë vaki asnjëherë, opozita të kërkojë sanksione ndaj vendit të vet. Por natyrisht, gjithçka rreth Kosovës është tejet e vështirë për ne. Njerëzit mendojnë se kjo është vetëm për shkak të Banjskës, por nuk është ashtu. Për ne ishte e tmerrshme në aspektin taktik dhe prodhoi pasoja të caktuara, por në kuptimin strategjik, qëllimi i vetëm i tyre është që ne ta njohim Kosovën”, ka shtuar Vuçiqi.

Derisa opozitarët në Serbi kanë kërkuar sanksione ndaj Vuçiqit, përfaqësues të partisë më të madhe opozitare në Kosovë thonë se Qeveria ende s’ka ofruar transparencë për propozimin që ia ka paraqitur kryeministrit Kurti 5-shja euro-amerikane.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri Kurti është vonë edhe në koordinim me ndërkombëtarët.

“E vetmja gjë konsistente për kryeministrin në raport me dialogun mungesa e konsistencës dhe mungesa e transparencës. Kryeministri bën mirë të vijë në Kuvend dhe të tregojë se për çfarë është diskutuar... Sikur kryeministri t’i kishte dëgjuar me kohë këshillat posaçërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot në tavolinë nuk do të kishim një marrëveshje si ajo e Ohrit që nuk është as finale e as nuk është e përqendruar në njohje reciproke” ka thënë Çitaku.

Emisarët perëndimorë u kërkuan Prishtinës dhe Beogradit gjatë takimeve të së shtunës që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Thanë se për Serbinë e Kosovën nuk do të ketë të ardhme evropiane pa i normalizuar marrëdhëniet.

Lajçaku po ashtu, ka paralajmëruar se për takimet e së shtunës do të njoftohen shtetet anëtare të BE-së dhe se kjo çështje do të diskutohet edhe në Këshillin e BE-së.