LAJMET E MBRËMJES

Von der Leyen: Të përmbyllet procesi i ndërtimit të unionit – BE-ja me më shumë se 30 vende anëtare

Në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e BE-së, presidentja e Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia duhet t’i bashkohen Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Sipas saj, në kohën kur madhësia dhe pesha janë të rëndësishme në skenën globale, BE-ja duhet të përmbyllë procesin e ndërtimit të unionit e kjo nënkupton edhe zgjerimin në më shumë se 30 vende anëtare.

Presidentja Ursula von der Leyen ka bërë sot ftesë që BE-ja të ketë një vizion për procesin e zgjerimit. Ajo për dallim nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, nuk ka përmendur data apo afate për zgjerim, por ka thënë se Bashkimi Evropian në kohën kur madhësia dhe pesha janë të rëndësishme në skenën globale, duhet të përmbyllë procesin e ndërtimit të unionit e kjo nënkupton edhe zgjerimin në më shumë se 30 vende anëtare.

Ajo i ka bërë këto parashikime në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e unionit evropian, të cilin e ka mbajtur para deputetëve të Parlamentit Evropian, e pas të cilit fjalim ka zgjatur për më shumë se 4 orë debati.

Von der Leyen ka thënë se na duhet një vizion për sukses në BE për të arritur një union të kompletuar, ku për mbi 500 milionë njerëz do të jetonin në liri, demokraci dhe prosperitet, ku të rinjtë do të mund të kishin mundësi të jetojnë dhe studiojnë në liri, ndërsa do të kishte demokraci, gjykata të pavarura, opozita të respektohej dhe gazetarët të mbroheshin.

Këtë e ka thënë duke nënvizuar se Bashkimi Evropian përderisa do të mbështesë përshpejtimin e procesit të zgjerimit, nuk do të heqë dorë edhe nga kërkesat për reforma, sidomos në drejtësi, dhe se vendet kandidate që synojnë për t’u integruar në BE do të vlerësohen sipas meritave individuale.

Von der Leyen ka përmendur nevojën që BE-ja të përgatitet për zgjerim, por ajo ka hedhur poshtë dallimet që bëhen në mes të zgjerimit në njërën anë dhe thellimit të integrimeve në anën tjetër. Ajo ka thënë se duhet tejkaluar këto dilema, sepse këto dy procese mund të shkojnë së bashku, siç ka dëshmuar edhe procesi i deritashëm i zgjerimit.

Si fakt ka përmendur se vendet të cilat ishin anëtarësuar para 20 vjetësh kanë arritur progres në çdo aspekt. Ajo ka thënë se nuk duhet pritur ndryshimet e traktateve të Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar, sepse zgjerimi duhet të ndodhë shumë më shpejt.

Von der Leyen në fjalimin e saj, Ballkanin Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë i ka përmendur si zona të cilat duhet t’i bashkohen Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian.

Ky ishte fjalimi i saj i fundit për gjendjen e unionit, pasi që në qershor të vitit që vjen do të zhvillohen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian, do të formohet Parlamenti i ri evropian e pastaj edhe komisioni i ri.

Von der Leyen në fjalimin e saj nuk ka bërë të qartë nëse ajo do të jetë kandidate apo jo për një mandat tjetër në krye të Komisionit Evropian.