Arbëri

Von der Leyen: Po i afrojmë më shumë shtetet e ardhshme anëtare

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e Unionit ka bërë thirrje për “ribashkimin e Evropës” përmes përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë në BE.

Ajo ka thënë se ideja e Evropës së lirë, të fortë dhe të pavarur nënkupton Evropën e bashkuar, në të cilën perëndimi dhe lindja bëhen bashkë.

“Për këtë arsye po i sjellim vendet e ardhshme anëtare më afër Unionit. Duke investuar, duke mbështetur reformat, duke i integruar në tregun unik. Ne duhet të mbajmë këtë shpejtësi përmes procesit të bazuar në merita”, ka thënë von der Leyen. “Sepse vetëm një Evropë e bashkuar dhe e ribashkuar mund të jetë një Evropë e pavarur. Një Union më i madh dhe më i fortë është një garantues i sigurisë për të gjithë ne. Sepse për Ukrainën, për Moldavinë dhe për Ballkanin Perëndimor, e ardhmja e tyre është në Union. Ta bëjmë të mundur që ribashkimi i ardhshëm i Evropës të ndodhë”.

Von der Leyen fjalimin e saj e ka fokusuar më së shumti në thirrjet për paqe dhe siguri, për forcimin e Evropës në mënyrë që të jetë në gjendje të marrë fatin e saj në duart e saj. Ajo ka bërë thirrje që BE të jetë më e bashkuar dhe më e vendosur në përballje me kërcënimet që paraqet Rusia. Ka paralajmëruar se mjetet e ngrira të Rusisë do të përdoren për ndihmë Ukrainës.

Ky ishte fjalimi i saj i parë për gjendjen e Unionit prej kur ka nisur mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian.