Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Vazhdimi i seancës caktohet për të shtunën. Vendimi interpretohet si shkelje kushtetuese

Kuvendi i kosoëvs

Foto: Driton Paçarada

Kryesuesi i legjislaturës së 11-së, Avni Dehari, ka vendosur që seanca konstituive t’i vazhdojë punimet të shtunën, nga ora 11. Kjo ka nxitur reagime të një numri deputetësh të rinj, por edhe të monitoruesve të punës së Kuvendit e të juristëve, që vlerësuan se përbën shkelje moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultatit, e që përfundon me t’u kryer e premtja.

Kryesuesi i legjislaturës së 11-të, Avni Dehari, ka njoftuar deputetët e rinj se vazhdimi i seancës konstituive do të realizohet të shtunën nga ora 11.

Kësisoj, punimet do të zhvillohen përtej afatit të definuar nga Gjykata Kushtetuese, sipas së cilës konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. E 30-ditëshi përmbyllet, me të përfunduar e premtja.

Mospërmbyllja e seancës gjatë ditës, sipas ligjëruesit të së Drejtës Kushtetuese, Ditar Kabashi, përbën anashkalim të Kushtetutës.

“Nëse deri në mesnatë nuk konstituohet Kuvendi atëherë do të anashkalohet teksti i Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Do të shkohet në një procedurë metakushtetuese, pra tej kushtetuese”, ka thënë Kabashi në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Sipas tij, shkelja e afatit nuk prodhon pasoja kushtetuese për legjislaturën e re apo për deputetët e rinj.

Edhe Dështon konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30 ditësh Arbëri Dështon konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30 ditësh

“Meqë juridikisht nuk ka ndonjë sanksionim mbetet në vullnetin politik, dhe vullneti politik duhet të manifestohet përmes thirrjes së serishme të seancës”, ka thënë Kabashi.

E, monitoruesi i punës së Kuvendit, Eugen Cakolli, ka theksuar se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për të shtunën, përbën shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues. Sipas tij, deputetët duhet t’i drejtohen gjykatës.

“Ky vendim dhe e gjithë kjo sjellje përbëjnë shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, menjëherë pas mesnatës, së paku dhjetë deputetë duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ta kontestojnë vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe mosveprimet e 6 dhe 7 gushtit, si dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00”, ka deklaruar Cakolli.

Seanca nisi punimet të enjten, por u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, i cili shtroi nevojën për më shumë kohë për negociata mes partive politike, me qëllimin për të arritur një marrëveshje për presidentin.

Por, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, çështja e presidentit nuk mund të përdoret si justifikim për të pezulluar ose shtyrë përmbushjen e një obligimi kushtetues.

Edhe Dështon konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30 ditësh Arbëri Dështon konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30 ditësh

“Sot nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme. Ekziston vetëm një detyrim i qartë, konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional”, u tha në reagimin e GLPS-së.

Pas caktimit të vazhdimit të seancës konstituive për të shtunën, kanë reaguar edhe deputetë të partive oponente të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar kundërkushtetues vendimin e marrë nga kryesuesi Dehari, i cili është deputet i këtij subjekti politik.