Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Valon Aliu dënohet me 24 vjet për vrasjen e ish-bashkëshortes Erona Cokli

Valon Aliu

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim dënim unik Valon Aliun për vrasjen e ish-bashkëshortes, Erona Cokli. Familjarët e së ndjerës nuk u pajtuan me shkallën e dënimit, e avokati i tyre paralajmëroi se do ta shqyrtojë mundësinë për t’u ankuar.

Me 24 vjet burgim, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar Valon Aliun i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, 21-vjeçaren Erona Cokli në Qendër për Punë Sociale në Ferizaj.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Aliu në prill të 2024-tës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerën me të cilën ka bashkëjetuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas përshkrimit që i është bërë krimit në aktakuzë, disa kohë pas ndarjes, pas një mosmarrëveshjeje, Aliu fillimisht me një të shtënë e godet Coklin në kraharor, e në momentin kur ajo fillon të largohet në drejtim të dritareve, e qëllon sërish në gjoks dhe në fund edhe në kokë, duke e lënë të vdekur.

Kryetarja e trupit gjykues, Fitore Daci, kumtoi dënimin për Aliun për tri vepra penale.

“Të akuzuarit i cakton për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ dënim me kohëzgjatje prej 22 vjetësh, për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dënim me kohëzgjatje prej 1 viti, ndërsa për veprën “Kanosje”, dënim me kohëzgjatje prej 2 vjetësh. Për tri veprat penale i shqipton dënim unik, me kohëzgjatje prej 24 vjetësh”, ka bërë të ditur Daci.

Aliu u dënua edhe për kanosje, meqë sipas aktakuzës, ka shtënë edhe në drejtim të vëllait të ish-bashkëshortes, duke e plagosur në krah.

Pas shpalljes së aktgjykimit, nëna e së ndjerës nuk u nda e kënaqur me shkallën e dënimit dhe tha se dhimbja që i ka shkaktuar Aliu, nuk mund të shuhet asnjëherë.

“E di që ka një Zot dhe do të dënohet me vendimin që e meriton, jo me kaq. Çdo ditë kemi dhimbje, djali po rritet çdo ditë, çdo ditë po e kërkon nënën e vet, çdo ditë po shtohet dhimbja. E ka bërë një padrejtësi të madhe ndaj familjes sime dhe vajzës sime”, është shprehur Milihate Cokli, nëna e së ndjerës Erona Cokli.

E avokati i familjes Cokli, Jeton Berisha tha se do ta shqyrtojë mundësinë e ankesës pasi ta marrin aktgjykimin.

“E mirëpresim vendimin e gjykatës, pavarësisht se lartësia e dënimit nuk është si e kemi pritur, por e rëndësishme se u shpall fajtor. Pas marrjes së aktgjykimit të plotë, do ta shqyrtojmë mundësinë që të ankohemi”, ka thënë Berisha.

Bazuar në aktakuzë, pas vrasjes Aliu ka kërcënuar edhe një zyrtare të Qendrës për Punë Sociale, duke ia vendosur armën në ballë.

Për vendimin e Themelores ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës. Në të theksohet se dënimi nuk përmbush pritjet për drejtësi të plotë dhe se për një krim të tillë pritej dënimi maksimal, që është burgim i përjetshëm.

Erona Cokli u vra më 12 prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, nga Valon Aliu me të cilin ishte divorcuar.