LAJMET E MBRËMJES

Udhëheqësit shtetërorë nënshkruajnë aplikacionin për anëtarësim në BE

Udhëheqësit shtetërorë kanë nënshkruar sot aplikacionin për ta kërkuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti e kualifikuan ngjarjen si një ditë historike. E dokumenti që ata nënshkruan, të enjten do t’i dorëzohet zyrtarisht Presidencës çeke të Bashkimit Evropian

Me nënshkrimet e vëna nga udhëheqësit shtetërorë, Kosova ka hedhur të mërkurën hapin e parë drejt kërkesës zyrtare për t’u bërë anëtare në Bashkimin Evropian.

Aplikacioni, që u nënshkrua nëpërmjet një ceremonie solemne në Prishtinë, të enjten do t’i dorëzohet në Pragë Presidencës çeke të bllokut evropian.

E nënshkrimin e dokumentit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e kryeministri Albin Kurti e kualifikuan si moment historik për Kosovën.

“Rruga jonë përpara është e qartë. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses. Ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë, në mënyrë që BE-ja ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vet”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.

Me gjithë procedurat e gjata pasuese, kryeparlamentari Konjufca tha se statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, Kosova synon që ta arrijë sa më parë që të jetë e mundur.

“E ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës, por edhe të gjitha shteteve te Ballkanit Perëndimor duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim, dhe në këtë mënyrë që të na inkurajojnë të gjithëve që të ndërmarrim reformat e nevojshme për përparimin e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se procesi drejt anëtarësimit në BE kërkon që të bëhen ende punë.

“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit i domosdoshëm”, ka thënë Kurti.

Pas dorëzimit të dokumentit të enjten në Pragë, për anëtarësimin në BE, Kosovës i nevojitet t’u nënshtrohet procedurave të gjata, për të cilat nuk ka afat të prerë kohor.

Faza e parë pas aplikimit është sigurimi i statusit të vendit kandidat, për të cilin nevojitet përkrahje unanime e vendeve anëtare, pesë nga të cilat nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Fazë tjetër është ajo e negociatave për anëtarësim, që përfshin hapjen e 35 kapitujve e plotësimin e kritereve të kërkuara.

Përmbyllja e kapitujve pasohet nga nënshkrimi i traktatit për pranim në mes të Bashkimit Evropian e vendit kandidat e më pas të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.