LAJMET E MBRËMJES

U pezullohet leja e importit katër kompanive të naftës

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Dogana e Kosovës ka gjetur te katër subjekte që merren me përpunimin e produkteve të naftës parregullsi që pengojnë mbikëqyrjen, rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit. Atyre u është pezulluar leja e importit.

Te katër subjektet të cilat merren me përpunimin e produkteve të naftës, Ministria e Tregtisë së bashku me Doganën kanë evidentuar parregullsi të shumta.

Këto, sipas tyre, rrezikojnë cilësinë e produkteve të naftës, pengojnë mbikëqyrjen dhe dëmtojnë buxhetin e shtetit

Ministrja Rozeta Hajdari bëri të ditur se kompanive në fjalë pas kontrolleve dhe analizave në treg u është pezulluar leja e importit.

“Theksojmë se disa nga subjektet u kanë shitur produktet e naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara, si dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit. Andaj duke u mbështetur në fakte që ka gjetur Dogana, ne si Ministri ua kemi revokuar dhe pezulluar 4 subjekteve lejet për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final, si dhe shitjen me shumicë të produktit final që është vaji i rëndë”, ka thënë Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Hajdari ka njoftuar se njërit subjekt i është pezulluar edhe leja për importin e vajrave të rënda, dhe se ndaj tij janë duke zhvilluar procedura për mashtrim me cilësinë e karburanteve që subjekti ua ka shitur institucioneve publike.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, deklaroi se kanë evidentuar edhe përmbajtje të lartë të sulfurit, që rrezikon ambientin dhe shëndetin e njeriut.

“Ka pasur stoqe që nuk janë barazuar në shitje te prodhuesit e tjerë e në bazë të cilave kanë pësuar edhe lirim prej taksës së akcizës. Për vetë këtë procesin e homogjenizimit këto kompani kanë përfituar nga lirimi në taksë të akcizës, e që edhe ai normative ka qenë jo i saktë, rrjedhimisht ka mundësuar që të ketë shmangie të pakontrollueshme të të hyrave. Si rezultat i fillimi të këtyre kontrolleve ne kemi parë menjëherë ulje drastike të sasisë që është prodhuar në këto 4 kompani përpunuese”, ka deklaruar Llugaliu.

Kompanitë të cilave u është pezulluar leja e importit janë: ‘Kosova refinery”, “Kulla Exim SHPK”, “In oil” dhe “Petrol company”.