LAJMET E MBRËMJES

Tre shqiptarë në qeverinë që cilësohet proserbe e proruse

Kuvendi i Malit të Zi ka zgjedhur qeverinë e re, së cilës do t’i prijë Milojko Spajiq. Pjesë e kabinetit të tij janë edhe njerëz nga parti proruse e proserbe, por edhe tre përfaqësues të partive shqiptare. Opozitarë që refuzuan t’i bashkohen qeverisë, nuk presin punë të mira në këtë mandat dhe rikujtojnë se kryetari i ri i Kuvendit është njeri që jo më larg se disa javë më parë ka shtruar nevojën për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Pas disa javë negociatash, Kuvendi i Malit të Zi mëngjesin e së martës e ka votuar qeverinë e re në përbërje të së cilës janë parti proserbe e proevropiane.

Pjesë e kabinetit të ri qeveritar malazez do të jenë edhe tre përfaqësues nga partitë shqiptare.

Shqiptarët do të kenë një zëvendëskryeministër dhe do të udhëheqin me tri ministri.

Kryeministri i sapozgjedhur, ekonomisti Milojko Spajiq i lëvizjes “Evropa Tani”, duke iu përgjigjur shqetësimeve për ndikimin serb, ka insistuar se Beogradi do të ketë zero ndikim në qeverisjen e tij.

Por politikanë nga opozita shqiptare që refuzuan t’i bashkohen koalicionit qeverisës, thonë se mbi 80 për qind e pushtetit të ri janë proserbë e prorusë.

Kryetari i Partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve, njëherësh deputet i Kuvendit në Malin e Zi, Mehmet Zenka, thotë se ky pushtet vetëm sa do ta rëndojë situatën politike dhe ekonomike në vend.

“Situata politike e rëndon dukshëm edhe zgjidhjen e problemeve ekonomike në Malin e Zi. Janë duke u ballafaquar rryma të ndryshme politike. Mali i Zi është në thyerje e sipër, a do të anojë kah politikat serbo-ruse apo do të anojë kah Evropa. Shumica e përbërjes së kësaj qeverise janë rusofilë apo serbfil”, ka thënë Zenka.

Qeveria është zgjedhur në një seancë që ka zgjatur gjatë tërë natës. Votimi është bërë në orët e mëngjesit të së martës. Pro Qeverisë së 44-t të Malit të Zi votuan 46 deputetë, kundër ishin 19 dhe një abstenoi. Nga partitë shqiptare, Nik Gjeloshaj është zgjedhur zëvendëskryeministër për politika ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj, ministër i Administratës Publike.

Zenka nuk është optimist se ministrat shqiptarë do të arrijnë rezultate të mira brenda kësaj përbërje qeveritare. Ndërkaq më shqetësues e konsideron faktin se në krye të Kuvendit është zgjedhur njeriu i cili kërkoi haptas tërheqjen e njohjes së Kosovës.

“Dje u zgjodh kryetar i parlamentit kryetari i partisë serbe, Andrija Mandiq i cili është vojvodë i çetnikëve, i cili hiç më larg se para disa muajve kërkonte t’u jepte shqiptarëve etiketime të natyrave të ndryshme. Ai është një antishqiptar që ka punuar dhe ka politika antishqiptare. Ai është kryetar i një koalicioni që gjatë zgjedhjeve haptas deklaronte që në rast të fitores tonë ne do të kërkojmë tërheqjen e pranimit të shtetit të Kosovës sepse ata e shohin Kosovën si shtet terrorist. Unë si kryetar i një subjekti politik shqiptar në asnjë mënyrë s’e kam parë veten që ta ngritë dorën për një njeri që ka politikë të tillë kundër shqiptarëve”, ka thënë Zenka.

Kryeministri 37-vjeçar udhëheq me partinë Evropa Tani, nga e cila doli edhe presidenti Jakov Milatoviq.

Spajiq ka thënë se “synim ka që Malin e Zi ta bëjë Zvicër të Ballkanit e Singapor të Evropës”.

Spajiq në fjalimin e tij ka thënë se prioritetet e politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, anëtarësimi më kredibil në NATO dhe përmirësimi i raporteve fqinjësore.

Qeveria është themeluar disa orë pasi u zgjodh Andrija Mandiq kryeparlamentar.

Gjatë debatit, ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se Qeveria e re ka filluar me shkelje të Kushtetutës, pasi Spajiq nuk ka paraqitur programin qeveritar. Abazoviq ka thënë se synim i Qeverisë së re është që të marrë borxh një miliard euro dhe të marrë 10 milionë euro nga kjo.

“Vetëm kësaj radhe përkujdesuni që paratë të mos shkojnë nëpërmjet Beogradit”, ka deklaruar Abazoviq.

Pavarësisht se i beson frymës proevropiane të cilën e proklamoi kryeministri i ri, Zenka ka potencuar se përbërja aktuale e kuvendit do ta bllokojë atë.

“Ata mund të ndërrojnë rrugë, por qëllimi mbetet i njëjtë që është shpërbërja e shtetit të Malit të Zi, krijimi i të ashtuquajturës botë serbe. Nuk e shoh se shqiptarët kanë vend në atë lloj përbërje apo koalicioni i cili nuk sjellë asgjë të mirë për shqiptarët dhe nuk premton asgjë për pakicat. Nuk është vetëm partia ime kundër, janë edhe partia boshnjake dhe kroate, pasi në këtë qeveri mbizotëron fryma tejet proserbe dhe proruse. Nuk shoh që na presin ditë të mira, por na pret luftë e madhe politike në Malin e Zi. Zgjedhja e qeverisë në mëngjes nuk ka qenë situatë e jashtëzakonshme, por dikush dëshiron t’i përshpejtojë këto rryma politike”, ka deklaruar Zenka.

Kryeministri Spajiq dhe së fundi presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, thanë se nuk presin që të ndryshohet qasja për pavarësinë e Kosovës dhe se duan raporte të mira fqinjësore.

Madje presidenti malazias, Jakov Milatoviq, e ka lidhur me Kosovën dy nga tri objektivat që pret në politikën e jashtme të qeverisë. Ai ka theksuar se orientimi properëndimor i Malit të Zi nuk duhet të ndryshojë, edhe pse aleati i tij ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me parti proserbe për të formuar qeverinë e re, pas zgjedhjeve parlamentare në verë. Ai është zotuar për “rreshtim 100 për qind me politikën e jashtme të BE-së dhe më shumë kredibilitet në NATO”.

“Si president kam qenë i qartë që nga zgjedhjet se tri objektivat në politikën e jashtme mbesin: Anëtarësim më kredibil në NATO, 100 për qind rreshtim me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionimin e Rusisë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe raporte të mira fqinjësore, përfshirë me Serbinë dhe Kosovë. Këto janë parimet që i pres nga Qeveria e re”, ka thënë ai.

Milatoviqi u zgjodh president në prill në moshën 37-vjeçare. Duke përfaqësuar partinë e re “Evropa Tani”, Milatoviq rrëzoi nga pushteti Milo Gjukanoviqin, që me Partinë Demokratike të Socialistëve ka udhëhequr Malin e Zi që nga pavarësimi.

Duke folur për qeverinë e re të Malit të Zi, Milatoviq i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të vë në funksion zotimet për zgjerim. Shteti me 620 mijë banorë pati aplikuar për t’iu bashkuar BE-së më 2008, dy vjet pas pavarësimit nga Serbia, por përparimi ka ngecur për shkak të korrupsionit, ndikimit sovjetik e jostabilitetit politik.

Mali i Zi po përballet me rrezikun për ndarje etnike, për shkak se opozita ka kërcënuar me bojkot të procesit të regjistrimit të popullatës, siç është planifikuar për 1 nëntor.