LAJMET E MBRËMJES

Transportuesit privatë bllokojnë komunikacionin në Prishtinë

Kryeqyteti u përball përsëri me bllokadë në komunikacion, pasi protesta e transportuesve urbanë mori një kthesë të re. Për ditë të dytë radhazi, pakënaqësia e tyre u shndërrua nga një tubim paqësor në bllokim total të rrugëve kryesore të Prishtinës, pasi autobusët u vendosën para objektit të Komunës. Ngërçi financiar mes Komunës dhe Qeverisë i la qytetarët pa transport dhe krijoi kolona të gjata

Transportuesit urbanë vazhduan të martën protestën për të dytën ditë radhazi, por e ndryshuan formën – nga protestë paqësore, në atë që e bllokoi qytetin e Prishtinës.

Meqë Komuna nuk ka shlyer obligimet financiare shkaku i pasojave që ka prodhuar mosmiratimi i buxhetit me kohë, ata vendosën autobusët në rrugën para objektit të këtij institucioni. Pas kësaj u krijuan kolona të gjata në kryeqytet.

E, nga takimi i së hënës me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati,  përfaqësuesit e protestuesve ndryshuan mendim dhe të martën kërkuan zgjidhje vetëm nga Komuna.
Përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, tha se Ministria i ka alokuar 3.2 milionë euro te Komuna, e nga to Komuna ia ka ndarë “Trafikut Urban” vetëm 600 mijë euro.

“Nuk i mbulon shpenzimet e naftës që i kemi borxh një milion. 800 mijë punëtorëve në rroga. 100 mijë po na shkëputen kontrata me sigurimin shëndetësor. Ju lutem janë 1.6 milion euro borxh. Komuna nuk po reflekton, po na detyron neve kinse Ministria nuk i ka alokuar paratë”, ka thënë Gashi.

Gashi tha se ministri Murati është zotuar ta kryejë pjesën e tij për gjithë buxhetin, nëse Komuna kryen detyrat.

“Ne ishim në ministri, u takuam me ministrin. Kontaktuam, ata u zotuan se nëse Komuna apo asambleja nxjerr një vendim për bartjen e të hyrave vetanake për vitin 2024, sapo të dalë ai vendim e ia përcjell ministrisë, ajo është e gatshme t’i alokojë mjetet”, ka thënë ai.

Por kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, insistoi se problemi qëndron te Qeveria.

“Faji nuk është te transportuesit, faji është i Qeverisë së Kosovës dhe ata mund të zhbllokojnë këtë gjë. Prandaj shpresoj që të reflektojnë dhe ta kemi një takim me ta”, ka thënë Rama.

E, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, në një konferencë për media ka kritikuar kryetarin Rama, dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se qytetarët po përballen me ditën e dytë pa shërbime të trafikut urban për shkak të “politikave të gabuara” të kryetarit Rama.

Sveçla deklaroi se thirrja e seancës nga legjislatura e kaluar të Kuvendit Komunal tregon “pranimin e fajësisë” nga Rama, ndërsa e akuzoi atë për “shfaqje teatrale” dhe mungesë empatie ndaj punëtorëve të Trafikut Urban.

“Zhvillimet në kryeqytet janë të jashtëzakonshme, është dita e dytë që qytetarët e Prishtinës janë të privuar nga shërbimet e trafikut urban dhe gjithë kjo si rezultat i politikës dhe qasjes së Përparim Ramës, Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun. Sot kishim deklaratë të Ramës që tha se thirrja e seancës për legjislaturën e kaluar të asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës është një mundësi opsionale për t’i inkasuar të hyrat vetanake dhe për të cilat ai tashmë e sa kohë ka ngritur kauzë të vetën dhe të partisë së vet. Vet ftesa për këtë seancë e dëshmon pranimin e fajësisë nga zotëri Rama, i cili ka traumatizuar qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Sveçla. “Ai ka filluar të bëjë shfaqje teatrale, siç ishin ato sot që i pamë në mesin e protestuesve, në mesin e punëtorëve të Trafikut Urban, ku në stilin e një banditesku bërtiste ‘qiti paret, qiti paret’, sepse tashmë ai e ka kuptuar që edhe punëtorët e Trafikut Urban e kanë kuptuar se ku është adresa e dështimit të ndërmarrjes së tyre”,”.

E, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kundërshtuar deklarimet e presidentes Vjosa Osmanit e cila të hënën tha se nuk mund të kërkojë më nga deputetët të mblidhen për çështjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe RTK-së, duke theksuar se për një gjë të tillë u ishte lutur partive politike ditën kur kishte dështuar të zgjidhet mandatari i dytë për kryeministër.
Osmani ka thënë se ka bërë çdo përpjekje për ta shtyrë përpara dhe të gjejë zgjidhje, por sipas saj, ishin partitë e ish-opozitës që nuk pranuan dhe refuzuan të kthehen dhe njëherë në Kuvend para se ta nënshkruante dekretin për shpërndarje.

Abdixhiku ka shkruar se në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i ka shprehur gatishmërinë Osmanit që të votohet një pako, me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.

Sipas tij, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Osmani e ka kontaktuar, duke i thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide.

“Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit. Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it. Nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë. 15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vetë ai, “u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gatishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht”.

Abdixhiku ka thënë se nuk pati asnjë lëvizje, ani pse ishte vonë. 

Abdixhikut i ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“E pse nuk i votuat pra kur e kishit mundësinë? Deri dje keni thënë se seanca ka qenë antikushtetuese, prandaj s’keni marrë pjesë. Tash po del që paskeni pasë me i votu, por s’ju ka pëlqy mënyra e ftesës. Kjo është tallje me qytetarët”, ka shkruar Murati në Facebook.

Edhe mes protestuesve në Prishtinë pati përplasje për adresën se kush është fajtor për këtë situatë të krijuar.

E, qytetarët u shprehën të mllefosur me bllokadën që u krijua në kryeqytet dhe pamundësinë për të lëvizur me autobusë.

“Faji është se shtazë deputetë kemi. Kur te fiton dikush, del i pari pa marrë parasysh a e ka shumicën a jo, përkraheni. Por kjo nuk ndodh se kemi shtazë deputetë”, ka thënë njëri nga ta, që priste në kolonë me automjetin që e drejtonte.

“Unë dola në pauzë me marrë bukë dhe mbeta këtu. Tash kam mbetë, sigurt vonohem 2-3 orë”, ka thënë një i ri, që po kështu prishte në kolonë.

Protesta pritet të vazhdojë edhe të mërkurën, mirëpo me autobusë më pak, në mënyrë që të mos bllokohet komunikacioni si paraditen e së martës.