Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e kandidatëve për asamble të Leposaviqit. Nga 19 sa do të duhej të ishin, në mungesë të votave, në Kuvendin Komunal do të jenë 16 përfaqësues. VV-ja kërkoi edhe 3 asamblistë t’i shtohen, megjithëse ata nuk morën asnjë votë. Certifikimi u bë dy ditë pasi BE-ja kërkoi djegien e mandateve të kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri
Për tri vende është tkurrur Kuvendi Komunal i Leposaviqit. Nga 19 asamblistë sa do të duhej t’i kishte, me betimin e kandidatëve të sapozgjedhur do t’i ketë 16, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Lëvizja Vetëvendosje ka 12 kandidatë që kanë marrë vota, Partia Demokratike ka dy kandidatë që kanë marrë vota dhe Partia Kosovskih Srba ka dy kandidatë që kanë marrë vota”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Në zgjedhjet komunale për këtë komunë, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 15 ulëse, por vetëm 12 kandidatë arritën të marrin së paku një votë.
Për certifikimin e rezultateve, kundër kanë votuar anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ.
Ata kanë kërkuar që subjekti i tyre t’i ketë 15 përfaqësues aq sa i ka siguruar me përqindje. Sipas kërkesës së VV-së, tre prej tyre duhen të bëhen asamblistë pa as një votë të siguruar.
“Vendimi është i domosdoshëm për hapje të rrugës. Unë mendoj që interpretimi që ka dhënë sekretariati është jo i drejtë, i kundërligjshëm prandaj unë do të votoj kundër, po besoj edhe kolegu im nga Vetëvendosje, sepse mendojmë që nuk është vendim i drejtë”, u shpreh Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga VV-ja.
Vendimin e KQZ-së për certifikimin e rezultateve në Leposaviq, Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, e ka konsideruar të vonuar. Sipas tij, situata është e qartë dhe se asamblistë në kuvendet komunale nuk mund të bëhen kandidatët që nuk kanë asnjë votë.
‘Ekzistimi i tre kandidatëve më pak që kanë fituar mandate sesa përqindja respektivisht përbërja e Kuvendit komunal të Leposaviqit, nuk e cenon as funksionimin e kuvendit komunal por më anën tjetër as nuk ndikon në funksionalitetin e tij. Pra, Ligji për Vetqeverisje lokale përcakton qartazi se rrethanë kur mund të konsiderohet jo funksional kuvendi komunal është vetëm rrethanë kur ai mbetet pa numrin e nevojshëm të anëtarëve që do të siguronte kuorumin”, ka thënë Cakolli.
Paqartësitë në rastin e Leposaviqit, sipas Cakollit, do të duhej të shërbenin si mundësi që të përmirësohen zbrazëtirat në kuadër të legjislacionit.
Zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore u karakterizuan me dalje të ulët të votuesve. Procesi në katër komunat me shumicë serbe është pranuar nga ndërkombëtarët. Por në takimin e 2 majit në Bruksel, Bashkimi Evropian kërkoi djegien e mandateve të katër kryetarëve të zgjedhur. Këshilltari i kryeministrit, Jeton Zulfaj në “Interaktiv” të KTV-së u shpreh se kërkesa është kundërshtuar nga pala kosovare.
Për kërkesën e BE-së, të mërkurën është deklaruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai ka pretenduar se me refuzimin e bërë, kryeministri Kurti synon dëbimin e serbëve nga veriu.