Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja certifikon vetëm 16 asamblistë për Komunën e Leposaviqit

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin Komunal në Leposaviq. Megjithatë, Kuvendi nuk është i plotë, pasi është miratuar rezultati vetëm për 16 asamblistë ndërsa ka gjithsej 19 ulëse. Kjo në mungesë të votave për kandidatët që kanë garuar për Asamble nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas rezultatit, Lëvizjes Vetëvendosje i takojnë 15 ulëse por vetëm 12 kandidatë të saj kanë marrë vota e rrjedhimisht KQZ ka vendosur që LVV te ketë vetëm 12 këshilltarë komunalë.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia "Kosovskih Srba" kanë marrë nga dy ulëse të tjera secila.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se ka ardhur rekomandimi nga Sekretariati që rezultati të certifikohet pasi vetëm kështu i hapet rrugë krijimit të institucioneve lokale në Leposaviq.

“Lëvizja Vetëvendosje 76.1%, 15 ulëse të fituara. Partia Demokratike e Kosovës me 19.2%, 2 ulëse të fituara si dhe Partia Kosokvih Srba me 4.6% me 2 ulëse të fituara. Ndërsa në listën e kandidatëve Lëvizja Vetëvendosje i ka 12 kandidatë të cilët kanë marrë vota. Partia Demokratike i ka dy kandidatë që kanë marrë vota dhe Partia 'Kosovskih Srba' me dy kandidatë që kanë marrë vota”, deklaroi Radoniqi.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje nga KQZ, Sami Kurteshi, deklaroi se interpretimi i sekretariatit është i kundërligjshëm.

Edhe Tkurret Kuvendi Komunal i Leposaviqit LAJMET E MBRËMJES Tkurret Kuvendi Komunal i Leposaviqit

“Diskutimin e kemi shterur si mendojmë ne, secili kemi mbetur vetëm me marrë një vendim, vendimi është i domosdoshëm për hapje të rrugës, mendoj se interpretimi që ka dhënë Sekretariati është jo i drejtë, i kundërligjshëm, prandaj do të votoj kundër, edhe kolegu im nga Vetëvendosje do të votojë kundër sepse mendojmë se nuk është interpretim i drejtë”, tha Kurteshi.

Pas hedhjes në votim, 8 anëtarë të KQZ-së votuan pro, dy anëtarët që përfaqësojnë LVV-në votuan kundër, ndërsa përfaqësuesja e Listës Serbe abstenoi me votën e saj. Me këtë rast, është certifikuar edhe rezultati për këto zgjedhje.

Në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë më së shumti vota në Leposaviq, 83 vota apo 76.1 për qind. /KSP

Image