LAJMET E MBRËMJES

I hapet rrugë inaugurimit të strukturave të reja në veri

Brenda një muaji kryetarët e rinj të komunave të veriut do ta nisin mandatin. Koha e rrjedhjes së afatit për ta dhënë betimin ka nisur të premten, kur KQZ-ja certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme, përjashtimisht atë për Kuvendin Komunal të Leposaviqit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të premten rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme në veri, por pa atë për Asamblenë Komunale në Leposaviq. Kjo, për shkak të paqartësive të krijuara në listën e kandidatëve të Vetëvendosjes.

Derisa kjo parti nga përqindja e fituar në zgjedhjet e 23 prillit ka siguruar 15 ulëse në Kuvendin Komunal, tre nga kandidatët nuk e kanë asnjë votë.

Por, anëtarët e KQZ-së kanë dhënë interpretime të ndryshme lidhur me certifikimin e kandidatëve pa vota.

Ata që janë deleguar nga partia në pushtet, kanë thënë se rezultati duhej të certifikohej.

“Neni 8 i Ligjit për Zgjedhje Lokale, te shpërndarja e vendeve në Kuvendin Komunal nëse u referoheni pikave a,b,c, që shpjegon mënyrën se qysh bëhet shpërndarja e vendeve në Kuvendin Komunal, mund të vëreni shumë lehtë që mandatet fitohen sipas koeficientit që e fitojnë partitë prej renditjes së formulës qysh është dhe mendoj që kjo e sqaron çdo gjë”, ka thënë anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi.

Ndërkaq, anëtarët e KQZ-së të deleguar nga partitë opozitare, kanë shprehur një interpretim tjetër.

“Kemi dilema që na duhet një interpretim për kandidatët që kanë zero vota. Është mirë që të certifikojmë përqindjen dhe renditja le të shkojë, por të kemi një interpretim”, ka thënë Sami Hamiti, anëtar i deleguar nga Lidhja Demokratike.

Më këmbëngulës ka qenë Ilir Gashi, anëtar i deleguar nga Partia Demokratike.

“Nuk mundem në asnjë variant të ngre dorën e të votoj një njeri që ka zero vota. Është e pamundshme. Nuk e jep ligji, e as legalitet e as legjitimitet nuk ka”, ka thënë ai.

Situata nuk arriti që të sqarohet as nga kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Unë po pajtohem që nuk është shumë e qartë dhe nuk dimë qysh të veprojmë, edhe se një interpretim që na ka dhënë – zyra ligjore është thirrur prej nenit 8, por tash... e kemi një interpretim tjetër, nuk kemi konsensus”, ka thënë Radoniqi.

Pas certifikimit, palët e kanë mundësinë për ankesë dhe çështja pritet të marrë epilog nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Për dallim nga Leposaviqi, KQZ-ja certifikoi 19 kandidatët për Kuvendin Komunal, të zgjedhur në Zveçan.

Miratimin e KQZ-së e morën edhe rezultatet e shpallura për kryetarë në katër komunat veriore.

Mbledhja konstituive e kuvendeve komunale duhet të mbahet 15 ditë pas certifikimit të rezultateve. Derisa betimin kryetarët e rinj duhet ta bëjnë brenda një muaji nga certifikimi i rezultateve.