Gjykata Speciale ka vendosur që ish-presidenti Hashim Thaçi të mbetet në paraburgim. Vendimi është marrë në rastin kundër administrimit të drejtësisë, e në rastin për krime lufte avokatët njoftuan se më nuk do të thërrasin dëshmitarë. Prandaj, konsideruan se Thaçi duhet të mbrohet në liri, meqë nuk ekziston rrezik që të pengojë procedurën ose dëshmitarët.
Ish-presidenti Hashim Thaçi do të mbetet në paraburgim në Hagë, ndonëse mbrojtja e tij insiston se kanë pushuar rrethanat mbi bazën e të cilave mbahet në fuqi kjo masë prej më shumë se 5 vjetësh.
Ndaj tij janë duke u zhvilluar dy procese gjyqësore.
Për rastin kundër administrimit të drejtësisë, Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj. Bashkë me ta akuzohen edhe Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi.
E, akuza kryesore është ajo për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Para gjykatës, avokatë të Thaçit kanë thënë se po mbyllet faza e provave në këtë rast, dhe s’ka më dëshmitarë për t’u thirrur, prandaj nuk ekziston rrezik që ai të pengojë procedurën ose dëshmitarët.
Në aktvendimin për rishikimin e paraburgimit është evidentuar pretendimi i mbrojtjes se nuk ka arsye as për të ndikuar te dëshmitarët në fund të procesit, sepse s’do të kishte vlerë provuese. Për rastin për tentim pengim të drejtësisë, sipas mbrojtjes, rreziku është pothuajse zero, pasi Prokuroria mbështetet kryesisht në dokumente e prova me shkrim.
Arsyetimet nuk e kanë bindur gjyqtarin Christopher Gosnell.
“Gjykatësi i vetëm i çështjes vëren se, edhe pse, siç u përmend më lart, disa rrethana kanë ulur rrezikun e pengimit të procedurës ose përsëritjes së veprës, këto rreziqe megjithatë mbeten të konsiderueshme dhe nuk mund të zbuten mjaftueshëm nga masat e tjera të sigurisë, përfshirë ato të propozuarat”, thuhet në aktvendim.
E në rastin më të madh të Speciales, Thaçi dhe Jakup Krasniqi kanë njoftuar gjykatën se nuk kanë më dëshmitarë për të thirrur e as prova për të paraqitur. Në këtë çështje me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit përballen edhe Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Që nga shtatori, kur mbrojtja e Thaçit nisi paraqitjen e çështjes, ka thirrur 7 dëshmitarë në gjykatore. E nisi me ish-ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, James Rubin, dhe e përfundoi me gjeneralin e NATO-s Wesley Clark.
Gjithashtu, të enjten, me kërkesë të mbrojtjes së Thaçit dhe asaj të Krasniqit, janë pranuar si prova materiale, 261 dokumente që nuk kanë të bëjnë me asnjë dëshmi të dëshmitarëve.
Trupi gjykues ka caktuar 19 janarin e vitit të ardhshëm si datën kur palët duhet t’i dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare, ndërsa mbrojtja e viktimave duhet ta deponojë deklaratën për ndikimin e krimeve të supozuara te 155 viktimat pjesëmarrëse në rast.
Fjala përfundimtare është caktuar të jepet nga 9 deri më 13 shkurt.
Pas kësaj gjyqtarët mbyllin çështjen dhe kanë kohë 90 ditë ta shpallin vendimin. Nëse rrethanat e kërkojnë ky afat mund të zgjatet edhe për 60 ditë, e që nënkupton se më së largu në gjysmën e korrikut do të kumtohet vendimi i Gjykatës.