Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Sveçla: Më 2012, opozita e sotme e bëri pjesë të Kushtetutës shtetësinë për serbët

Xhelal Svecla

Foto: Driton Paçarada

Pas akuzave që pasuan prejse hyri në fuqi Ligji për Shtetësinë, i cili njeh të drejtën për fitimin e shtetësisë për qytetarët e ish-Jugosllavisë që më 1 janar 1998 kishin statusin e banorit të përhershëm në Kosovë, si dhe për pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë, ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka theksuar se me amendamentet e vitit 2012, opozita e sotme, atëherë në pushtet, e bëri këtë dispozitë pjesë të përhershme të rendit kushtetues

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbrojtur dispozitën e Ligjit për Shtetësinë që ka nxitur reagime, me të cilën njihet e drejta për fitimin e shtetësisë për qytetarët e ish-Jugosllavisë që më 1 janar 1998 kishin statusin e banorit të përhershëm në Kosovë, si dhe për pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë.

Ai ka thënë se dispozita buron nga Pakoja e Ahtisaarit dhe është pjesë e rendit kushtetues që nga viti 2008, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky nen është pjesë e dispozitave themelore kushtetuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 155 që derivon nga Pakoja e Ahtisaarit. Kjo e drejtë nuk është krijuar apo njohur nga kjo qeveri dhe nuk është futur për herë të parë me ligjin e ri, ashtu siç eksponentët e opozitës po e proklamojnë”, ka thënë ai të martën në një konferencë për media.

Sveçla ka akuzuar qeveritë e kaluara, duke thënë se këtë dispozitë e kanë bërë pjesë të përhershme të rendit kushtetues.

“Ndërsa në vitin 2012, në vend që kjo dispozitë të hiqej nga Kushtetuta dhe të kishte të njëjtin fat si dispozitat e tjera kalimtare, opozita e tanishme, e cila ishte në pushtet në atë kohë, përmes ndryshimeve kushtetuese vendosi ta bartë këtë dispozitë te dispozitat themelore të Kushtetutës me qëllim që ta bëjë pjesë të përhershme të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Pra në thelb, ajo që opozita sot po e kritikon, e ka burimin pikërisht këtu”, ka deklaruar Sveçla.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Qëndrim Bytyqi, ka thënë se neni 31 i Ligjit për Shtetësinë është harmonizuar plotësisht me Kushtetutën dhe nuk nënkupton fitim automatik të shtetësisë, por vetëm njohje të së drejtës për ta fituar atë sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara me ligj.

Sipas tij, dallimi kryesor qëndron te formulimi juridik, pasi ligjet e viteve 2008 dhe 2013 përdornin shprehjen “konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës”, ndërsa ligji aktual flet për njohjen e së drejtës për shtetësi, në përputhje me dispozitat kushtetuese.

Ligji për Shtetësinë ka hyrë në fuqi më 22 maj. Ditë më parë, Sveçla ka bërë të ditur se për përfitimin e shtetësisë në bazë të këtij ligji kanë aplikuar qindra persona.

Reagimi i Sveçlës është bërë, pasi deputetë të opozitës së deritashme kanë akuzuar qeverinë në detyrë se ua ka mundësuar serbëve të shumtë që nuk jetojnë më në Kosovë, të marrin shtetësinë e Kosovës, përfshirë edhe ata që gjatë viteve ’90 ishin shpërngulur në Kosovë nga vende të tjera.