Rreth 80 milionë euro të buxhetit të shtetit shkojnë secilin vit në pensionet e veteranëve të luftës, ka thënë ministri Hekuran Murati gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Sipas tij, pjesë e madhe e këtij buxheti shkon për veteranët e rrejshëm. Murati i ka prezantuar këto të dhëna, pasi deputetë të opozitës kritikuan nismën e Qeverisë për ta zhvlerësuar dispozitën, sipas së cilës veteranët e luftës dhe disa kategori sigurojnë pensione në lartësinë e pagës minimale.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se 80 milionë euro shkojnë secilin vit në pensionet e veteranëve të UÇK-së. Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ai ka theksuar se pjesë e madhe e këtij buxheti shkon për veteranët e rrejshëm.
“Nga perspektiva e një veterani mund të duket se shteti po jep pak për ta, sepse 170 euro me të vërtetë nuk është se bëjnë një zgjidhje. Mirëpo shteti po jep 80 milionë euro, pra nuk është që shteti po jep pak për veteranin, por veteranit i kanë hyrë në hise disa të tjerë që mund të mos jenë veteranë”, ka deklaruar Murati.
E ka thënë këtë, pasi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kritikoi nismën e Qeverisë për ta zhvlerësuar dispozitën, sipas së cilës veteranët e luftës dhe disa kategori sigurojnë të ardhura në lartësinë e pagës minimale.
“Atëherë te këto kategori nuk janë edhe që afektojnë shumë në buxhetin e shtetit, por edhe veteranët prej 170 në 250 eurosh nuk përbëjnë një rritje që ka me pasë një ndikim të madh në buxhet”, ka thënë Haxhiu.
Deputetët e opozitës kritikuan ministrin edhe për pakot mbështetëse për disa kategori, e edhe për reformën në skemat pensionale.
“Nuk e ndihmon mirëqenin sociale, fare nuk kanë të bëjnë me mirëqenie sociale afatgjate. Ju i ndihmoni dikujt një muaj me 100 euro, 11 muaj nuk i ka ato 100 euro”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
“Nga ky vit ministër nuk ka njeri më që e plotëson kushtin për me shku në pension kontributdhënës. A e dini këtë? Të gjithë janë me asistencë bazike. Asnjëri nuk e plotëson 15-vjetëshin”, është shprehur deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Ministri Murati tha se, para secilit veprim që Qeveria do ta marrë, duhet kalkuluar implikimi buxhetor.
“E kemi të domosdoshme që çështjen e reformës sociale dhe pensionale ta bëjmë njëherazi krahas njëra-tjetrës, në mënyrë që i gjithë sistemi të rregullohet në mënyrën më të mirë të mundshme që edhe nuk e bankroton shtetin”, ka thënë Murati.
Gjatë raportimit, mes tjerash, ministri Murati ka bërë të ditur se që nga gushti i vitit të kaluar e deri më tani, rreth 17 mijë lehona kanë përfituar nga 170 euro në muaj, si shtesa të përcaktuara nga Qeveria.