Liderët e dy vendeve të rajonit, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, janë shprehur të zhgënjyer me rezultatet e Samitit të Bashkimit Evropian.
Pas përfundimit të tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se i vjen keq për Bashkimin Evropian, derisa ka treguar se si presidenti i Këshillit Evropian ua ka kufizuar kohën e deklarimeve.
“Charles Michel na tha se kishim tre minuta. Unë i thashë mund të kishin qenë edhe 30 sekonda nëse do ta kishin mbajtur fjalën, por ata nuk e mbajtën fjalën, kështu që tri minuta nuk ishin mjaftueshëm. U thashë që ndihesha mirë dhe keq të isha me ta, ndihesh mirë sepse jemi evropianë dhe duam të gjendemi në mes evropianëve, por ndihesh keq sepse ende nuk mund të jemi ne këtu si evropianë, por si miq në një shtëpi të ndarë”, tha Rama.
Kurse kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacenski, ka thënë se BE-së i ka kërkuar garanci që Bullgaria nuk do t’u bëjë kërkesa të reja.
“Dua të përfitoj nga ky rast për t’u thënë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut se ata duhet të jenë në paqe dhe ju siguroj që gjithmonë kemi vendosur interesat dhe objektivat strategjike të shtetit përpara dhe askush nuk mund të imponojë një zgjidhje pa mirëkuptimin tonë, ne kemi bërë gjithçka, tashmë i takon lëvizja BE-së”, pohoi Kovaçevski.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është kritikuar nga BE-ja për qasjen ndaj Rusisë.
“Nëse më pyesni nëse Maqedonia e Veriut apo Shqipëria morën një datë, jo nuk e morën, nëse Prishtina mori liberalizimin e vizave, jo nuk e mori, nëse Bosnja mori statusin kandidat, jo nuk e mori. Natyrisht u kritikuam shumë nga shumë shtete anëtare për shkak të çështjes Rusi-Ukrainë dhe kaq, kaq ndodhi, po ta përkthesh në terma konkretë”, deklaroi Vuçiqi.
Të enjten, liderët e Bashkimit Evropian e ata të Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon, aplikimet për anëtarësim në BE, për ekonominë e politikën e jashtme.