Për tre vjet, Komuna e Prishtinës synon që shkollat t’i kthejë në vende mike për nxënësit dhe për stafin arsimor. Përmes prezantimit të planit të sigurisë, Komuna ka pranuar se shkollat e saj nuk ofrojnë ambient të sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm të nxënësve. Sipas hulumtimit të Komunës, dhuna më prezente është në salla të edukatës fizike. Vetëm gjatë këtij viti në tërë vendin janë raportuar 261 raste të incidenteve.
Komuna e Prishtinës ka pranuar se shkollat e saj nuk ofrojnë ambiente të sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm të nxënësve dhe të stafit arsimor.
Përmes një plani të veprimit për sigurinë në shkolla, kryeqyteti synon që për tre vjet të kthejë institucionet arsimore në shkolla mike për nxënësit.
Në këtë plan janë të përfshirë rregullimi i infrastrukturës shkollore, luftimi i bullizmit, e rritja sigurisë nga shtëpia deri në shkollë.
luftimi i ngacmimeve seksuale, haraçi ndërmjet fëmijëve, e konsumimi i cigareve në moshë të hershme, nuk janë të specifikuara në këtë plan.
Drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati, ka thënë se të gjitha këto çështje janë të përfshira përmes tri objektivave që ka paraparë komuna për luftimin e dukurive negative në shkolla. Sipas saj, dhuna më prezente është në salla të edukatës fizike.
“Në studimin i cili është mjaftueshëm i detajuar kemi të dhëna edhe se ku është dhuna më prezentë, në salla të edukatës fizike ka dal si ndër vendet ku dhuna është më e pranishme, si dhe perceptimi për dhunë bëhet pranë lokaleve të cilat gjenden në afërsi të shkollave”, ka theksuar Musmurati.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se do të kenë qasje proaktive për ta parandaluar dhunën në shkolla.
“Pra qasja e sigurisë me qenë proaktive, po ashtu edhe krijimin e ekipeve të cilat e stimulojnë bashkëpunimin e nxënësve, ose me personat me potencial për sjellje delikuente që t’u paraprijmë këtyre gjërave që ‘t’i bëjmë ata pjesë e një program, pjesë e një komuniteti dhe ta kuptojmë thellë se çka i shtyn deri te sjelljet që janë të pahijshme, që t’u paraprijmë e jo të jemi vetëm reaktivë por edhe proaktivë në zgjidhjen e problemit të sigurisë”, ka deklaruar Rama.
Vetëm gjatë këtij viti në tërë vendin janë raportuar 261 raste të incidenteve në shkolla dhe përreth tyre.
Në Këshillin e Prindërve të Kosovës kanë thënë se çështja e sigurisë në shkolla nuk është duke u trajtuar mjaftueshëm nga niveli qendror.
“Sa i përket Ministrisë së Arsimit di që e kanë një projekt për shkollat mike, për të cilën janë duke i zhvilluar disa aktivitete. Por gjykoj se Ministria as për së afërmi nuk është angazhuar për të kontribuuar në shumë çështje që e pengojnë sistemin arsimor parauniversitar. Nuk ka asnjë lëvizje për çështjen e sigurisë në shkollat e gjithë vendit dhe perimetrit afër tyre”, ka theksuar kryetari i këtij Këshilli, Jeton Demi.
Në Ministrinë e Arsimit, ku numri i zyrtarëve arrin shifrën treshifrore, nuk ka qenë askush i gatshëm të prononcohet të hënën para kamerës, për çështjen që prek mbi 1 mijë institucione arsimore e mbi 300 mijë nxënës.
Në raporte të ndryshme të bëra deri tash, nxënësit kanë vlerësuar se shkollat nuk kanë mekanizma funksionalë dhe të mjaftueshëm për trajtimin e dhunës. Aktualisht, shumica e tyre trajtojnë vetëm rastet kur situatat e dhunës eskalojnë.