Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Rama në KiE: Raporti i pabazë i Dick Martyt u financua nga Putini, duhet ta hiqni

Ish-udhëheqësit e UÇK-së po gjykohen nga një gjykatë e mbështetur në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Evropës, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga Putini, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Samitin e liderëve të Këshillit të Evropës. Ai i kërkoi këtij institucioni të gjejë mënyra që ta përmirësojë gabimin

Padrejtësia ndaj luftës së UÇK-së nisi në Këshillin e Evropës me qëllimin dashakeq të ish-përfaqësuesit të Rusisë në këtë institucion, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai në fjalimin e tij në Samitin e liderëve të Këshillit të Evropës, që sot e dje u mbajt në Reikjavik të Islandës, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, financoi raportin e eurodeputetit Dick Marty mbi pretendimet e të cilit edhe u themelua Gjykata Speciale në Hagë.

“Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e mbështetur në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Evropës, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësues të Putinit në KiE. Akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u pritën si pikënisja e një fushate njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e botës demokratike, por e mbështetur në një raport të vitit 2011, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga presidenti Putin”, ka thënë Rama.

Specialja u ngrit mbi bazën e pretendimeve të raportit të Dick Martyt, por sot në Hagë, kur po gjykohen ish-udhëheqësit e UÇK-së, asnjë nga këto pretendime nuk është në aktakuzë. Rama tërhoqi edhe paralele mes Kosovës e Ukrainës, si dhe Zelenskyt e Thaçit.

“Akuza të pabazuara për trafikim të organeve njerëzore u ngritën si një fushatë kriminale që njollosi Shqipërinë dhe Kosovën, dhe kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, m’u duk sikur pash presidentin Zelensky të gjykuar 10 vjet më vonë nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi akuza absurde”, ka thënë Rama.

Edhe Rama në KiE: Raporti i Dick Martyt u financua nga Putini, duhet ta hiqni Arbëri Rama në KiE: Raporti i Dick Martyt u financua nga Putini, duhet ta hiqni

Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se Këshilli i Evropës e ka për detyrim të rishikojë çdo gabim dhe të shohë çdo mundësi që mund t’i hapë rrugë shfuqizimit të këtij raporti.

Në prill Rama njoftoi se ka mbledhur nënshkrimet e duhura në Këshill të Evropës për mocionin e një rezolutë të re, që do ta hidhte poshtë atë të vitit 2011, të hartuar nga Dick Marty.