LAJMET E MBRËMJES

Rama e Macron tallen me gafat e Trumpit, për Vuçiqin nuk pati karrige në sallë

Momente qesharake i kanë shoqëruar liderët pjesëmarrës në kuadër të Samitit të Komitetit Politik Evropian që po mbahet në Kopenhagë të Danimarkës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë shaka me presidentin francez, Emmanuel Macron, gjatë Samitit në Danimarkë. Rama i është referuar një gafe të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili gabimisht ka përsëritur se ka dhënë kontribut për të zgjidhur “konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë”, derisa e ka komentuar procesin e paqes mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Trumpi e ka quajtur disa herë Azerbajxhanin “Aberbaijan”, por e ka ngatërruar plotësisht Armeninë me Shqipërinë. Duke e përmendur këtë deklaratë, Rama me shaka i ka thënë Macronit se duhet t’i kërkojë falje që nuk e ka uruar Azerbajxhanin dhe Shqipërinë për arritjen e paqes.

“Ti duhet të kërkosh falje që nuk na ke uruar për paqen që e ka arritur Trumpi për ne”, i ka thënë Rama-Macronit, në prani të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

“Më vjen keq për këtë djema”, ia ka kthyer presidenti francez.

E kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, është kujdesur që ta shpëtojë nga një moment i sikletshëm presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi në Kopenhagë. Vuçiqi ka hyrë në sallën ku po mbahej takimi, porse pa që nuk ka karrige të dedikuar për të. Ai më pas sillej për të bërë zgjidhje dhe në një moment vendoset që të ulet në vendin e Sanchezit. Aty ndërhyn një person me uniformë, i cili i thotë që të ngrihet, pasi ky nuk është vendi i tij. Presidentit i Serbisë më pas ia improvizojnë një karrige, porse nuk ndihet rehat. Në atë moment, kryeministri spanjoll del në një tavolinë tjetër dhe ia liron vendin Vuçiqit.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.