Me vështirësi të mëdha, grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka arritur t’i mbledhë deputetët e pushtetit për ta vazhduar seancën e sotme. Në shenjë revolte ndaj numrave të pamjaftueshëm të pushtetit në seancë, partitë opozitare e braktisën sallën. Pas disa orësh pritjeje pushteti i siguroi 61 deputetë për t’i shqyrtuar e miratuar 23 pika të rendit të ditës. Si shkak i mungesës së unitetit pushtet-opozitë, pa u ratifikuar mbetën tri marrëveshje ndërkombëtare
Për gati katër muaj ishte e pamundur që 80 deputetë votues të bëheshin me një zë për t’i ratifikuar tri marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po barten nga seanca në seancë.
Njësoj ishte edhe në mbledhjen e së mërkurës, në të cilën u arrit kuorumi i dy të tretave, por jo edhe kuorumi i vendimmarrjes.
Me mocion, Lëvizja Vetëvendosje i zhvendosi këto tri pika për në fund të rendit të ditës.
“Nëse ka mundësi mund të procedojmë në pikat të cilat kanë votim të thjeshtë në mënyrë që të fillojmë me agjendën e seancës. Nëse në një pikë të caktuar ne arrijmë dhe jemi 80 deputetë atëherë mund të rikthehemi në votim”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së.
Por, edhe për shqyrtimin dhe votimin e projektligjeve me shumicë të thjeshtë, pushteti nuk i pati 61 deputetë të saj në sallë.
Për ta kompletuar numrin u prit për një kohë të konsiderueshme, çka çoi në revoltën e Partisë Demokratike dhe të Lidhjes Demokratike.
“Besoj bashkë me grupet tjera parlamentare të opozits nuk duhet të vazhdojmë të qëndrojmë sepse është i pakuptimtë qëndrimi ynë edhe më tutje në këtë seancë. Pra qe një orë e gjysmë as edhe një pikë e vetme nuk arriti të kalojë”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i GP të PDK-së.
“Në vazhdën e sjelljes së papërgjegjshme të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare duke i spostuar nga rendi i ditës, e bënë të pamundur punën e Kuvendit kështu që edhe ne si grup parlamentar nuk do ta vazhdojmë këtë seancë”, ka thënë shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi.
Pa u deklaruar, nga seanca dolën edhe deputetët e Aleancës.
Pak pas tyre erdhi deputetja e kësaj partie Albena Reshitaj, e cila u nënshkrua, qëndroi shkurt brenda dhe doli nga seanca.
“I propozoj administratës që deputetes Albena Reshitaj, të mos i takojë sot asnjë mëditje sepse hyri në seancë qëndroi vetëm 10 sekonda, doli e hodhi nënshkrimin. Kështu që nuk ka kështu”, ka thënë kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
Në një përgjigje për Kohën, Reshitaj u arsyetua se nuk ka pasur dijeni se opozita e kishte lëshuar sallën paraprakisht.
Me gjithë largimin e opozitës, pushteti qe i sigurt se do ta bënte kuorumin.
Pas një angazhimi gati një orësh të shefes së deputetëve të LVV-së, në sallë mbërriti deputeti i 61-të. Ai u prit me duartrokitje.
Më pas u shqyrtuan 23 pika, në mesin e të cilave u miratuan 10 projektligje e ligje.
Deputetët miratuan në parim projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, si dhe Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2031.
Pavarësisht përmbylljes së disa pikave, sërish seanca përfundoi pa u shqyrtuar i gjithë rendi i ditës, meqë një deputet u largua dhe e prishi kuorumin.