LAJMET E MBRËMJES

Punonjësit shëndetësorë protestojnë sërish për mungesën e Kontratës Kolektive

Përfaqësues të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë kanë shprehur shqetësimin dhe pakënaqësitë e punëtorëve shëndetësorë për mungesë të Kontratës Kolektive. Përmes një proteste para Qeverisë, ata për herë të dytë kërkuan që sa më shpejt të nënshkruhet Kontrata Kolektive. E akuzuan Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë interesimi për dialogun social

Punëtorët shëndetësorë të enjten kanë protestuar për herë të dytë para Qeverisë me kërkesën për nënshkrimin e Kontratës Kolektive dhe rikthimin e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë. 

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës, Tevide Imeri, ka thënë se mungesa prej dy vjetësh e Kontratës Kolektive ka dëmtuar profesionistët shëndetësorë.

“Mosnënshkrimi i Kontratës Kolektive, e cila na ka hendikepuar në terren, sepse na kanë hequr shumë benefite dhe është një obligim ligjor, nuk është në dëshirën as të Ministrisë, as të Qeverisë për ta bërë, por është një obligim ligjor. Kishim një Kontratë Kolektive, por njëanshëm e kanë shkëputur pa e marrë mendimin tonë. Në kontratë shkruan mes dy palëve, ndërsa shkëputet vetëm nga ana tjetër me premtimin se do të bëhet një kontratë edhe më e mirë, edhe më e favorshme për punëtorët shëndetësorë”, ka thënë ajo.

Imeri ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, se viziton klinikat vetëm kur bëhen përurime. 

“Ministri del në shëndetësi vetëm që të presë shirita, për këtë arsye ai sheh vetëm aty ku është rinovuar, nuk shkon ku nuk ka rinovime, nuk shkon ku nuk ka as nyja sanitare të rregulluara, nuk shkon as nëpër klinika ku pikon uji çdo ditë. Nuk shkon as aty ku punëtorët shëndetësorë nuk e kanë një zhveshtore ku ndërrohen, ta veshin apo ta zhveshin uniformën dhe nuk kanë asnjë as kushtet elementare, unë e kam bërë me dije se punëtorët nuk janë duke ikur vetëm për paga, por edhe prej trajtimit jo të dinjitetshëm, kanë problem me sistemin menaxherial në shëndetësi”, ka shtuar Imeri.

Pas protestës, përfaqësuesit e sindikatës u ftuan për një takim për të premten me ministrin Arben Vitia.

Kontrata Kolektive e shkëputur dy vjet më parë përmban disa benefite për punonjësit në sektorin e shëndetësisë. 

Ajo rregullon themelimin e marrëdhënies së punës, përmbajtjen e kontratës, orarin, pushimet, stazhin e rrezikshmërinë në vendin e punës.

Për Kontratën Kolektive të mërkurën protestuan edhe mësimdhënësit.