E në tubimin pas aksionit policor për arrestimin e Millun Milenkoviqit, serbët lokalë në Mitrovicë të Veriut brohoritën kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e quajtur “tradhtar”. Turma i është sulur edhe kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq. Ata i kërkuan sqarime kësaj partie, për të cilën brohoritën se nuk i përfaqëson më
Me brohoritjet “tradhti” dhe ofendimet ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe subjektit politik serb, Lista Serbe, disa serbë lokalë janë mbledhur mesditën e së martës në afërsi të objektit të shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.
Ata e kundërshtuan arrestimin e Millun Milenkoviq – Llunes, i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe për këtë kërkuan sqarime nga Lista Serbe.
Në pamjet e publikuara në mediat serbe shihet teksa turma i sulet kryetarit të kësaj partie, Goran Rakiq, të cilit në mbrojtje i dalin disa qytetarë të tjerë.
Gjatë protestës, sipas raportimit të Kossevit, përfaqësuesve të subjektit iu dha gjysmë orë ultimatum për të dalë me qëndrim rreth ngjarjes, ndërkaq i akuzuan se më nuk mund t’i përfaqësojnë.
Administratori i Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, Nebojsha Joviq, u ka bërë thirrje qytetarëve për durim dhe për paqe. Ai i ftoi qytetarët për protesta që nga e mërkura para objektit të komunës në Mitrovicë të Veriut.
Tubimi i qytetarëve filloi pas aksionit të Policisë për arrestimin e Milenkoviqit, ku rreth orës 13:00 u lëshuan edhe sirena.
Edhe
Serbët në veri të Mitrovicës protestojnë kundër Vuçiqit e Listës Serbe
Policia e Kosovës gjatë së martës ka shtuar praninë e saj në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa automjete të shumta të tyre janë parkuar në jug të Mitrovicës dhe në rrugën që të shpie në Lagjen e Boshnjakëve, të banuar kryesisht nga shqiptarët.
Serbët lokalë në veri që nga 26 maji po protestojnë kundër vendosjes së kryetarëve të rinj të komunave në objektet komunale.