Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” ka organizuar protestë në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Marshi nisi para Pallatit të Drejtësisë në Hajvali e vazhdoi para institucioneve në qendër të qytetit. Në protestë u kërkua drejtësi për gratë e vrara e të dhunuara. Aktivitete për 8 Marsin janë mbajtur edhe në komuna të tjera
Me moton “Marshojmë, s’festojmë”, të mërkurën, në Ditën e Gruas është protestuar para institucioneve të drejtësisë e sigurisë.
Kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” organizoi protestë gati 4-orëshe, e ajo nisi para Pallatit të Drejtësisë në Hajvali e vazhdoi para institucioneve në qendër të Prishtinës.
Me thirrjet “Pallati i Drejtësisë s’ka drejtësi për gra”, “Poshtë patriarkati” e “Patriarkati vret”, protestuesit kërkuan drejtësi për gratë e vrara dhe ato të dhunuara.
Elvedina Hajdari, që disa herë e ka denoncuar ish-bashkëshortin e saj për dhunë, ka folur për neglizhencën, sipas saj, të institucioneve.
“Unë jam dëshmitare e neglizhencës, mosbesimit dhe padrejtësive të vazhdueshme që ju bëhen grave nga Policia, Prokuroria e Gjykata. Mjafton të ju përmendi këtu që në Polici janë shumë raste që nuk janë hapur për shkak të neglizhencës së Policisë dhe Prokurorisë”, ka thënë Hajdari.
Nga Pallati i Drejtësisë, protestuesit marshuan këmbë deri te sheshi “Zahir Pajaziti”, duke vazhduar më pas për në rrugën “Luan Haradinaj” për të arritur te ndërtesa e Policisë së Kosovës, ku u hodh tym i kuq dhe i zi në shenjë proteste ndaj trajtimit jo të duhur, që, sipas tyre, po bën ky institucion për rastet e dhunës ndaj grave.
Marshi vazhdoi te ndërtesa e Qeverisë, ku nga aty, gratë kërkuan barazi.
“Jemi ne ato që dhunohemi në shtëpi, rrugë, shkolla, punë, Polici, Gjykatë e Prokurori. Më shumë se 50 nga ne janë vrarë në më pak se 15 vjet. Ne dhunohemi çdo ditë në shtëpitë ku shpërngulemi pas martesës, por vetëm pak më shumë se 2000 nga ne e raportojmë dhunën në vit sepse shumicës prej nesh u është mësuar se gruaja e mirë duron”, ka thënë Mirishahe Syla, organizatore e protestës.
E Adelina Tërshani, koordinatore e Rrjetit të Grave të Kosovës, tha se trajtimi i rasteve të vrasjeve e të dhunës ndaj grave nuk është prioritet për institucionet e drejtësisë.
“Rastet e grave janë veç një rast më shumë, përderisa ne konsiderojmë që në një vend kaq të vogël ku shifrat e dhunës ndaj grave veç po shkojnë tu u rritë, raportimi i kësaj dhune po shkon duke u rritur, kemi më shumë se 80 raste që janë raportuar në Polici vetëm gjatë këtij viti, do të thotë vetëm tre muajt e parë, atëherë ne duhet ta kthejmë vëmendjen te institucionet e drejtësisë dhe ato t’i trajtojnë këto raste me seriozitet”, ka thënë Adelina Tërshani nga RRGK-ja.
Aktivitete për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, të mërkurën, janë mbajtur edhe në komuna të tjera të vendit. Në Komunën e Gjilanit është bërë zbulimi i shtatores Heroina e Qytetit.