LAJMET E MBRËMJES

Presidentja e KE-së diskuton me Osmanin e Kurtin për heqjen e masave, kërkon formimin e Asociacionit

Pas Maqedonisë së Veriut, Kosova ka qenë ndalesa e radhës e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen. Në Prishtinë ajo është pritur nga liderët e institucioneve shtetërore, me të cilët ka thënë se është diskutuar heqja e masave ndëshkuese. Von der Leyen ka përsëritur kërkesën për formimin e Asociacionit, derisa për Serbinë ka thënë se duhet të pranojë njohjen de facto të Kosovës.

Draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përmendur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kur është pyetur për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në konferencën për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, zyrtarja evropiane tha se heqja e masave ka qenë një nga çështjet e diskutimit, derisa Asociacionin e ka vlerësuar hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për t’i hequr masat. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe është pjesë, kjo që po them është shumë teknike, por është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është, po ashtu, kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës, por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, theksoi ajo.

Derisa Prishtinës i kërkohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Von der Leyen tha se Serbia duhet të pranojë njohjen de facto të Kosovës.

Nevojën për heqjen e masave ndëshkuese në takim e ka shtruar presidentja Vjosa Osmani. Ajo tha se Kosova ka ndërmarrë të gjithë hapat për shtensionim të situatës.

“Institucionet tona përgjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatë por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë”, tha Osmani.

Duke folur për draft-statutin e Asociacionit që Kosova ka pranuar nga pesëshja euro-amerikane, Osmani nuk ka dhënë vlerësimin e saj.

Ka thënë se e ka parë dhe analizuar atë, por se komentet do t’i përcjellë në Kushtetuese, nëse shkon për vlerësim, pas nënshkrimit.

“Vlerësimet e mia do t`i jap edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë, pra nëse kemi proces të nënshkrimit pastaj kur shkon ky draft statut në Gjykatën Kushtetuese si presidente e Republikës do t’i dërgoj të gjitha komentet me shkrim se cilat pjesë të atij drafti e vlerësoj si presidente, si institucion duhet të sqarohen në mënyrë që zbatimi të jetë në plotni me Kushtetutën tonë”, deklaroi presidentja.

Osmani ka kërkuar mbështetjen e presidentes së Komisionit Evropian në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në BE, derisa ka shtuar se pret që në dhjetor të ketë avancim drejt statusit të vendit kandidat për Kosovën.

Pas takimit me Osmanin, presidentja Ursula von der Leyen është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e Von der Leyen në Kosovë është realizuar në kuadër të turneut që ka për qëllim shpalosjen e planit të investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Paraprakisht ajo ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa pas Kosovës do të udhëtojë për në Mal të Zi, e më pas do t’i vazhdojë vizitat në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë.