Arbëri

Von der Leyen kërkon Asociacionin, Osmani e Kurti heqjen e masave ndëshkuese

Çështja e draft-statutit të Asociacionit është në qendër të diskutimeve dhe hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të hënën pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka treguar se me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti kanë biseduar për veprimet që mundësojnë heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Von der Leyen para vizitës në Kosovë ka qëndruar në Maqedoni, e gjatë turneut në Ballkanin Perëndimor ajo do të vizitojë Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë

Draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përmendur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kur është pyetur për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Në konferencën për media të mbajtur të hënën, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, zyrtarja evropiane ka thënë se heqja e masave ka qenë një nga çështjet e diskutimit, por se Asociacionin e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për t’i hequr masat. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe është pjesë, kjo që po them është shumë teknike, por është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është, po ashtu, kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës, por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, ka thënë Von der Leyen.

Presidentja Von der Leyen, e cila të hënën ka nisur vizitën në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se derisa Kosovës i kërkohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Serbia duhet të pranojë njohjen de facto të Kosovës.

“Do t`i diskutoj hapat e nevojshëm edhe për Serbinë për njohjen de facto të Kosovës, me presidentin Vuçiq do të diskutojmë se si kjo duhet të materializohet”, ka thënë ajo.

Draft-statuti për formimin e Asociacionit, Kosovës i është dorëzuar më 21 tetor në takimin që pesë përfaqësues euro-amerikanë patën në Kosovë. Fillimisht nga Qeveria e Kosovës ai u pranua që të jetë në kuadër të kornizës së diskutimeve që do të zhvilloheshin ditë më vonë me liderët evropianë në Bruksel, e më pas në këtë takim u ofrua edhe nënshkrimi i tij.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se nga euro-amerikanët janë garantuar se ai është hartuar në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës dhe se, po ashtu, është përfshirë dispozita e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Osmani: Komentet për draft-statutin do t’i përcjell në Kushtetuese, nëse dërgohet

Duke folur për draft-statutin e Asociacionit që Kosovës i është ofruar nga pesëshja euro-amerikane, presidentja Osmani nuk ka dhënë vlerësimin e saj. Ka thënë se e ka parë dhe analizuar atë, por se komentet do t’i përcjellë në Kushtetuese, nëse shkon për vlerësim, pas nënshkrimit.

“Vlerësimet e mia do t`i jap edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë, pra nëse kemi proces të nënshkrimit, pastaj kur shkon ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese si presidente e Republikës do t’i dërgoj të gjitha komentet me shkrim se cilat pjesë të atij drafti e vlerësoj si presidente, si institucion, duhet të sqarohen në mënyrë që zbatimi të jetë në plotni me Kushtetutën tonë”, ka thënë Osmani.

Duke folur për heqjen e masave ndëshkuese, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se Kosova ka ndërmarrë të gjithë hapat për shtensionim të situatës.

“Institucionet tona gjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë”, ka thënë Osmani, ndërsa ka insistuar se pengesa për shtensionimin e situatës vazhdon të jetë në Beograd.

Presidentja ka kërkuar zbatimin në tërësi e të shpejtë të marrëveshjes së arritur në Bruksel më 27 shkurt e aneksit të saj të dakorduar më 18 mars në Ohër.

“Në qoftë se zbatohet në tërësi dërgon te njohja de facto dhe kjo hap rrugë më shumë për paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe na drejton qartë te njohja de jure”, ka thënë Osmani.

E presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për ndërtim të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si hap drejt hyrjes në Bashkimin Evropian.

“Është zgjedhje e një shteti nëse dëshiron apo jo që të hyjë në rrugëtimin tonë të përbashkët. Ka shumë shtytës të cilët mund të bëjnë që të fitohet kjo garë për të ecur përpara dhe ku do të kemi edhe parimet e BE-së, të kemi normalizim”, ka thënë ajo.

Osmani ka kërkuar mbështetjen e presidentes së Komisionit Evropian në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në BE, derisa ka shtuar se pret që në dhjetor të ketë avancim drejt statusit të vendit kandidat për Kosovën.

Pas takimit me Osmanin, presidentja Ursula von der Leyen është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit, Kurti ka thënë se me Von der Leyen ka diskutuar për zhvillimet e fundit e takimin që ka zhvilluar në Bruksel me liderët evropianë në margjina të Samitit të Këshillit të Evropës.

“Kërkova që, në përputhje me këto zhvillime të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të merren masa ndaj Serbisë edhe për sulmin terrorist ndaj Kosovës edhe për mos-gatishmërinë për normalizim të marrëdhënieve duke refuzuar përsëri nënshkrimin më 26 tetor në Bruksel”, shkroi Kurti në Facebook.

Plani i investimeve të BE-së në Ballkanin Perëndimor

Vizita e Von der Leyen në Kosovë është realizuar në kuadër të turneut që ka për qëllim shpalosjen e planit të investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Në prezantimin e tij, presidentja e Komisionit Evropian ka thënë se synojnë përafrimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian. Sipas saj, rritja e ekonomisë së Kosovës mund të bëhet përmes planit që si BE kanë. Përmendi hapjen e tregut të BE-së në sektorë të ndryshëm për bizneset e kompanitë, përmirësimin e klimës për biznese e investimet drejt integrimit në një treg të përbashkët.

“Ky plan i ri do ta rrisë ekonominë tuaj, do të krijojë vende të reja të punës dhe do ta mbështesë qasjen apo hyrjen e juaj në BE-në. Besoj që është një ofertë e duhur në kohën e duhur”, ka deklaruar ajo.

Plani i investimeve të Bashkimit Evropian është mirëpritur nga presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se ky plan shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit në tregun e përbashkët evropian.

“Ndër të tjera, ky plan parasheh mbështetjen e Bashkimit Evropian nëpërmjet rritjes së asistencës financiare për reformat që duhen të ndërmerren në procesin integrues”, ka theksuar Osmani.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor parasheh investimin e rreth 6 miliardë eurove.

Para vizitës në Kosovës, presidentja Ursula von der Leyen ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa turneun e saj do ta vazhdojë në Mal të Zi e më pas do të udhëtojë për në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë.