LAJMET E MBRËMJES

Prekazi, qendër nderimi e kujtimi për sakrificën e bërë ndër breza për lirinë e shqiptarëve

Kosova ka shënuar 111-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë e edhe 68-vjetorin e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe 26-vjetorin e daljes së parë publike të UÇK-së. Nderimet më të mëdha u bënë në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Kompleksi memorial në Prekaz është kthyer në qendër nderimi e kujtimi për sakrificën e bërë ndër breza për lirinë e shqiptarëve.

Krahas 111-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë janë shënuar edhe 68-vjetori i lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe 26-vjetori i daljes së parë publike të UÇK-së.

Sadat Kelmend, nga Rohoti i Pejës, është kujdesur që djalit të tij 7-vjeçar t’ia shpjegojë historinë që kanë Kullat e Jasharëve.

“Shihe çfarë kontributi kanë dhënë për lirinë e Kosovës ata. Ne duhet ta përcjellim gjeneratë pas gjenerate, t’i sjellim fëmijët këtu t’i tregojmë çfarë ka ndodhë që të mos harrojmë historinë”, tha qytetari Sadat Kelmendi.

Me motivin e njëjtë, Ismet Makolli ka sjellë në Prekaz nipin dhe mbesën e tij.

“Kjo festë nuk do të zbehët kurrë. Unë sot i kam marr nipin dhe mbesën time dhe do të jem i kujdesshëm gjithmonë me brezat e ri sa i përket 28 nëntorit dhe Prekazit dhe gjithashtu të 17 shkurtit”, tha Makolli.

Përfaqësuesit më të lartë shtetërorë thanë se kjo përbën moment reflektimi për sakrificën e të rënëve për çlirimin e popullit shqiptar.

“Kjo ditë na kujton çmimin e lirisë, çmimin e lartë të lirisë dhe sakrificave që janë bërë për shekuj që ne të jemi të lirë. Është moment reflektimi për atë që heronjtë tanë kanë bërë që nga Skënderbeu e deri te Ismail Qemali e te komandanti Adem Jashari”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“28 nëntori në Kosovë gjithmonë fillon në Prekaz, këtu ku ka ndodhur sakrifica më e lartë e popullit të Kosovës për liri dhe këtu është ngjizur lufta e lavdishme e UÇK-së”, tha kryekuvendari Glauk Konjufca.

Në Prekaz, në mbrëmje nderime bëri edhe kryeministri Albin Kurti e gjatë ditës edhe përfaqësues të partive politike.

28 Nëntori u shënua me homazhe te varret e dëshmorëve e me organizime të ndryshme nëpër komuna të Kosovës.