Të premten në orën 10:00, ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, do të dalë para gjykatës në Prishtinë. Të martën, Prokuroria Speciale njoftoi se ka arritur marrëveshje me të për pranimin e fajësisë. E në lidhje me dyshimin se ai ka incizuar bisedimet në Bruksel nuk pranuan të flasin në Bashkimin Evropian
Zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Igor Popoviq, i cili është arrestuar në Kosovë pasi ka fyer UÇK-në, ka pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes e mosdurimit.
Të martën, Prokuroria Speciale ka njoftuar se me ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Sipas Prokurorisë, ai akuzohet se me dashje ka nxitur e përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike.
“Sipas aktakuzës, I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: ‘...Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste’, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: ‘Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe”, thuhet në aktakuzë.
Popoviq akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
E, në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se seanca në lidhje me rastin e Popoviqit do të mbahet të premten në orën 10:00.
“Referuar kërkesës suaj për informata ju njoftojmë se Gjykata Themelore Prishtinë ka pranuar aktakuzën me marrëveshjen për pranim të fajësisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në çështjen penale ndaj të akuzuarit I.P. Seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar të mbahet me datë 8.8.2025, në orën 10:00”, ka bërë të ditur kjo gjykatë.
Në fund të javës së shkuar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se organet e sigurisë kanë informata se Popoviqi ka lidhje edhe me Agjencinë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA.
Sipas Kurtit, ai ka ushtruar aktivitete në dobi të BIA-s, përfshirë incizimin ilegal të bisedave të datës 17 shtator 2020, të cilat janë zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në lidhje me pretendimet e Kurtit, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Bashkimi Evropian që nga e shtuna.
E të martën, në një konferencë për media, zëdhënësja Anitta Hipper refuzoi të komentojë në lidhje me rastin.
“Nuk kemi asgjë për të shtuar”, ka thënë Hipper.
Popoviq u arrestua më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak, një ditë pasi mbajti fjalim në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë të cilit Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quajti organizatë terroriste.