LAJMET E MBRËMJES

Politikanët perëndimorë i kërkojnë BE-së, SHBA-së e Britanisë qasje më të ashpër ndaj Serbisë

Letra është nënshkruar edhe nga kryetari i Politikës së Jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, Michael Roth, pastaj edhe nga kryetarët e komiteteve të politikave të jashtme të Britanisë së Madhe, Çekisë, Ukrainës, Irlandës, Estonisë dhe Lituanisë. Është nënshkruar edhe nga senatori amerikan Bob Menedez. Në letër është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të merren mësime nga e kaluara dhe të mos ndiqet politikë ku qendër në Ballkan është Beogradi

Politikanë të rëndësishëm nga vende të ndryshme perëndimore u kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe që të kenë qasje më të ashpër në raport me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata kanë bërë thirrje të reagohet ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë, raportoi “Tagesspiegel” të dielën.

“Përpjekjet e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet të dënohen publikisht si ndërhyrje e huaj dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse nëse ajo vazhdon t’i minojë zgjedhjet e lira dhe fer”, thuhet në letrën e ekspertëve të politikës së jashtme drejtuar përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe ministrit të Jashtëm të Britanisë, James Cleverly.

Letra është nënshkruar edhe nga kryetari i Politikës së Jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, Michael Roth, pastaj edhe nga kryetarët e komiteteve të politikave të jashtme të Britanisë së Madhe, Çekisë, Ukrainës, Irlandës, Estonisë dhe Lituanisë. Është nënshkruar edhe nga senatori amerikan Bob Menedez.

Aty është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar të merren mësime nga e kaluara dhe të mos ndiqet politikë ku qendër në Ballkan është Beogradi.

“Qasja nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtarë të mësojë nga e kaluara dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politikë ku në qendër në Ballkan është Beogradi. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës”, thuhet në letër. “Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përmes kufirit Serbi – Kosovë, nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimit të mëtejshëm. Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të përbëjë bazën e politikës sonë të përbashkët ndaj krizë aktuale”.

Po ashtu, bëhet thirrje që të kthehet ekuilibri në marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

“Mungesa e presionit ndaj Serbisë pas arrestimit arbitrar të tre policëve kosovarë dhe dështimi për ta mbajtur përgjegjëse për sulmet ndaj forcave të KFOR-it, tregojnë mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e pikave të tilla problematike”, thuhet në letër.

Është shprehur edhe shqetësimi për afrimin edhe më të madh të Beogradit me Moskën.

“Qeveria e Vuçiqit nuk po merr pjesë në sanksionet ndaj Moskës”, thuhet në letër.

Serbia është vendi i vetëm në Evropë, hiç Bjellorusinë, që nuk ka pranuar t’i vërë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë.