Policia e Kosovës i ka suspenduar katër zyrtarë të saj, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në një incident të armatosur në Leposaviq, në të cilin ka mbetur i plagosur një qytetari serb. Policia fillimisht e mohoi përfshirjen e zyrtarëve të saj në incident, por më pas ndërmori veprime dhe theksoi se rasti nuk ishte raportuar nga të përfshirët.
Afër kësaj pike kontrolluese të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Leposaviq, mbrëmjen e së hënës një qytetar i nacionalitetit serb u plagos në kraharor me armë zjarri.
Raportimet e mediave serbe se qytetari u plagos nga zyrtarë të Policisë, ky institucion i mohoi vetëm një orë pasi ndodhi rasti, duke thënë se zyrtarët policorë nuk kanë qenë fare të përfshirë.
E, mesditën e së martës, Policia lëshoi një komunikatë tjetër, në të cilën theksoi se në këtë rast dyshohet të jenë përfshirë 4 pjesëtarë të saj, e që nuk e kanë raportuar incidentin në të cilin janë përfshirë. Që të gjithë janë suspenduar nga detyra.
“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara, janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku Policia e Kosovës kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Në një reagim për këtë rast, Lista Serbe ka fajësuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti dhe ka hedhur akuza për represion dhe regjim mbi qytetarët serbë në Kosovë.
Ajo u ka kërkuar tërheqjen e Njësisë Speciale nga veriu.
“U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të dënojnë egërsinë e këtyre njësive parapolicore që po i shtypin qytetarët e thjeshtë dhe të kërkojnë tërheqjen e tyre nga veriu i Kosovës, për të rivendosur paqen në këtë zonë dhe për të parandaluar rrezikimin e jetës, por edhe të paqes dhe sigurinë e të të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Në Polici bënë të ditur se zyrtarët e saj do të vazhdojnë të veprojnë paanshëm, pavarësisht se kush është i përfshirë në rast.
Fundvitin e shkuar, me kërkesë të Listës Serbe, serbët e komunave të veriut kanë braktisur institucionet, përfshirë edhe Policinë.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka shprehur shqetësimin për rastin.
“SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Hovenier në Twitter.