LAJMET E MBRËMJES

Policia po i heton grafitet ku serbët ftohen për rezistencë nga 21 nëntori

Grafite me ngjyra të flamurit të Serbisë janë shfaqur në Mitrovicën e Veriut të dielën. Aty shkruan se “që nga 21 nëntori është detyrë e të gjithëve që të rezistojnë në çdo hap”. Kjo i referohet edhe datës kur pritet të fillojë faza e dytë e vendimit për targa, që parasheh gjoba për qytetarët serbë që nuk i konvertojnë targat nga ato ilegale në RKS

Mëngjesin e së dielës, në Mitrovicën e Veriut janë shfaqur grafite të reja me mesazhin ku iu bëhet thirrje serbëve për “rezistencë” nga 21 nëntori, kur edhe pritet të fillojë gjobitja për shoferët që nuk i kanë konvertuar targat ilegale në RKS.

Këto mesazhe mbajnë “vulën” e të ashtuquajturës “Brikanda e Veriut”.

“Që nga 21 nëntori është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brikada e Veriut”, thuhet në mesazh.

Grafitet me ngjyrat e flamurit të Serbisë u vendosën pranë monumentit të Car Lazarit në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut.

Nga Policia kanë bërë të ditur se janë duke hetuar lidhur me këto grafite.

“Më 13.11.2022 gjatë natës, në zonën e Drejtorisë Rajonale të Mitrovicës Veri, janë hasur disa grafite me mbishkrime të ndryshme në gjuhën serbe. Policia e Kosovës, me njësitet e saj ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, për hetim dhe procedim të mëtejmë, lidhur me grafitet e shkruara në disa mure dhe rrugë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Grafite të tilla ishin vendosur edhe në gusht të këtij viti, ku thuhej “Mos u shqetëso, këtu jemi – Brikada e Veriut” dhe “NATO shko në shtëpi! Kjo është Serbi. Brikada e Veriut po rritet dita-ditës”.

Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për gazetën “Danas”, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, po i teston ndërkombëtarët me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Vuçiqi, siç e dini, ka disa muaj që ka ngritur tensionet dhe në mënyrë sistematike e ka akuzuar Kurtin. Vuçiqi ka aleatë edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë. Pos kësaj, Vuçiqi vazhdimisht përdor storien se si Gjermania e Britania e Madhe janë prapa çdo gjëje që bën Kurti, e se si SHBA-ja po e kupton Serbinë. Por fakti është se SHBA-ja dhe BE-ja e mbështesin propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ka thënë Biserko.

Ndërkohë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në një intervistë për “TV Prva” ka vazhduar me akuzat ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se ai është burim i destabilitetit në Ballkan dhe se Serbia do të vazhdojë të luftojë për paqe e stabilitet.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë, lufta diplomatike është e përditshme. Presidenti Vuçiq ka çdo ditë diskutime për këtë temë me zyrtarët më të rëndësishëm botëror. Ne jemi në kërkim të zgjidhjes”, ka thënë Bërnabiq.

Ambasadori francez, Olivier Guerrot, ka shfrytëzuar vizitën e tij në memorialin “Adem Jashari” në Prekaz për të bërë thirrje për ulje të tensioneve.

“Dje vizitova Memorialin e Adem Jasharit dhe të gjashtëdhjetë familjarëve të vrarë në vitin 1998. Emocion në solemnitetin e vendit dhe gjurmët e dhunës. 25 vjet më vonë, tensionet nuk duhet të lejohen të rriten përsëri”, ka shkruar Guerrot.

Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia. Kryesisht bëhet fjalë për targat KM, akronim serb për Mitrovicë e Kosovës.

Plani i Qeverisë është që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa RKS – Republika e Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e parë parasheh lëshimin e qortimeve për drejtuesit e automjeteve me targa serbe. Faza e dytë nis më 21 nëntor dhe parasheh gjobë prej 150 eurosh për këta shoferë. Faza e tretë përfshin përdorimin e targave provuese, ndërkaq pas 21 prillit, Qeveria e Kosovës ka thënë se do të lejohen të qarkullojnë vetëm makinat me targa RKS.

Në shenjë pakënaqësie lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Por, pavarësisht largimeve të serbëve nga institucionet – përfshirë nga Policia, gjykata, prokuroria, Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e tjera – kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 7 nëntor se puna e institucioneve të Kosovës në veri po vazhdon.

Kurti tha se ditëve të fundit janë shtuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë dhe të presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, për të destabilizuar situatën në Kosovë, duke shtuar se kërcënimet ndaj qytetarëve po bëhen “për të mbjellë frikë dhe panik”.

Që nga 5 nëntori, kur serbët nisën largimin nga institucionet e Kosovës, në veri nuk shihen policë në rrugë, përveç makinave të patrullimit që herë pas here shihen nëpër qytete.

Besohet se në veri të Kosovës janë afro 10.000 makina me targa serbe, të cilat Kosova i konsideron ilegale.