Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Rasti i Shtërpcës: I dyshuari përballë tri veprave penale, serbët në protestë

I arrestuari për plagosjen e dy qytetarëve serbë në Shtërpcë dyshohet për vrasje të rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se i dyshuari, një orë para plagosjes, kishte shtënë në ajër në Brezovicë, pasi disa persona ia kishin pamundësuar qasjen në rrugën për te qendra e shijimit. Për Listën Serbe, sulmi ishte i planifikuar dhe ka thirrur protestë për të dielën

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj 33-vjeçarit shqiptar A.K., pasi dyshon se ka kryer veprat penale: vrasje e rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Shtënia me armë që rezultoi me plagosjen e 11-vjeçarit M.S. e S.S. është cilësuar si tentim vrasjeje dhe dyshimet e Prokurorisë janë se para se të shtinte mbi dy të rinjtë, i akuzuari është fjalosur me ta.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 6 janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, Komuna e Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit M. S. dhe S.S., ku pas një mosmarrëveshjeje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës ‘Mossberg’ dhe shtie dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve, lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës, me të cilën ka kryer veprën penale: ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë për kërkesën e paraburgimit.

Sipas Prokurorisë, i arrestuari dyshohet se një orë para këtij sulmi ka shtënë në ajër në Brezovicë, duke i rrezikuar qytetarët e tjerë. Këtë A.K. sipas Prokurorisë, e ka bërë pasi një grumbull qytetarësh ia kishin pamundësuar kyçjen në rrugën që çon për në qendrën e skijimit.

“Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se me 6 janar 2023, rreth orës 13:00, në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij të markës ‘Golf V’, në pamundësi që të kyçet në rrugën që të dërgon në qendrën e skijimit, meqë aty kishte qenë një grumbull qytetarësh në rrugë, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revolen e markës ‘Mossberg’ shtie pesë herë në ajër, me çka ka kryer veprën penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK-së”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë. Po aty shkruhet se “ka përdorur armën me leje, të markës ‘Mossberg’ model MC2C, kalibër 9X19mm, me të cilën ka kryer veprën penale ‘përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’ nga neni 367 paragrafi 1 i KPRK-së”.

Edhe Prokuroria thotë se plagosja në Shtërpcë erdhi pas mosmarrëveshjes verbale Kronikë Prokuroria thotë se plagosja në Shtërpcë erdhi pas mosmarrëveshjes verbale

Në prokurori e kanë konfirmuar për KOHËN se i arrestuari ka qenë në veturë me një 20-vjeçar, porse ai nuk dyshohet për përfshirje në ndonjërën prej veprave penale që rëndojnë mbi A.K.

Pas rastit, të premten pasdite, magjistralja Shtërpcë-Ferizaj është mbajtur e bllokuar nga serbët lokalë. Ajo u lirua rreth orës 22:00 nga banorët e Gotovishtës, pas negociatave me policinë.

E qetë ka qenë pasditja e së shtunës në Shtërpcë pasi banorët serbë po kryenin rite e ceremoni nëpër kisha për Krishtlindjen ortodokse.
Ndërkaq, për të dielën, Lista Serbe ka paralajmëruar një protestë në Shtërpcë.

Kryetari i LS-së Goran Rakiq, bashkë me zyrtarë të lartë të partisë së tij, Lilijana Shubariq kryetare e Graçanicës, si dhe kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, kanë vizituar në mëngjesin e së shtunës dy të plagosurit në Repartin e Kirurgjisë “Simonida” në Graçanicë prej ku kanë postuar fotografi me ta edhe në rrjete sociale.

“Kam një mesazh për krejt ata që nuk i duan serbët në këto troje, ju them se nuk do të harrojmë kurrë dhe nuk do t’jua falim këtë që e keni bërë dje, dhe i ftoj të gjithë organet kompetente dhe mbi të gjitha, Bashkimin Evropian dhe KFOR-in që të rrisin prezencën e patrullave dhe të mos na ndihmojnë duke reaguar në media, që po e dënojnë këtë veprim, por le të tregojnë në terren që me të vërtetë po brengosen t’i mbrojnë serbët dhe të gjithë ata që po jetojnë këtu”, ka thënë Rakiqi, derisa ka kërkuar shtim të forcave të EULEX-it e KFOR-it në vendbanimet serbe.

Edhe Një muaj paraburgim ndaj Azem Kurtajt për plagosjen e dy personave në Shtërpcë LAJMET E MBRËMJES Një muaj paraburgim ndaj Azem Kurtajt për plagosjen e dy personave në Shtërpcë

Jevtiq ka bërë thirrjen për protestë dhe ka paralajmëruar edhe pjesëmarrës nga veriu.

“Kemi premtime dhe garanci se ashtu do të jetë. Hajde t’u besojmë. Pas kësaj kemi vendosur që barrikadat t’i largojmë, por protesta jonë nuk ndalon këtu, por nesër në Shtërpcë në orën 12:00 do të kemi një protestë në të cilin do të na bashkëngjiten vëllezërit tanë të veriut të Kosovës”, ka thënë Jevtiq.

Ai ka thënë se sulmin e sheh si të orkestruar, por njësoj si Rakiqi, nuk ka treguar se prej kujt.

“Unë jam thuajse i sigurt, ashtu i kam thënë edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë me të cilët kam biseduar dje deri vonë, se kjo nuk është rastësi dhe sado që dikush mund ta quajë si ‘incident të izoluar’, sipas meje nuk është… Pjesëtari i FSK-së… Unë ende nuk kam informata zyrtare mirëpo sipas disa informatave që kemi pas dje në automjet janë gjetur disa lloje të targave për atë mendoj se kjo është e planifikuar”, ka thënë Jevtiq.
Gjendja shëndetësore e dy të rinjve serbë që u qëlluan me armë zjarri në Shtërpcë pasditen e së premtes, është stabile. Në Repartin e Kirurgjisë në Graçanicë, ku ata po trajtohen, kirurgu Dragan Periq, ka thënë se ata lirohen brenda shtatë-tetë ditësh.

Edhe Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për plagosje në Istog Kronikë Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për plagosje në Istog

“Fëmija është qëlluar në dorën e majtë. Bëhet fjalë për plagë të hapur, pak e ënjtur, që është pasojë normale pasi që i është hequr trupi i huaj i metaltë. Edhe pacienti tjetër ka gjendje stabile. Plaga e tij është në pjesën e krahut të majtë, fotografimi është i mirë dhe hemodinamikisht stabil. Krahu s’mund të qepet pasi që këto plagët s’janë pastruar, prandaj do të jenë të hospitalizuar edhe disa ditë”, është shprehur Periq në një konferencë për media.

Pak orë pas plagosjes së dy të rinjve serbë, autoritetet kanë kapur një të dyshuar shqiptar, pjesëtar i FSK-së. Liderët institucionalë e partiakë në Kosovë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti e ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj, e kanë dënuar sulmin.