Stefan Stamenkoviq që kandidoi për kryetar të Shtërpcës dhe që mban një faqe në Facebooku ku publikon materiale kundër Listës Serbe është rrahur para dy ditësh gjatë një manifestimi në Shtërpcë. Policia e ka konfirmuar pranimin e rastit, derisa përkrahje për Stamenkoviqin kanë shprehur edhe politikanë të tjerë opozitarë serbë
Ish-kandidati për kryetar të komunës së Shtërpcës, Stefan Stamenkoviq është kërcënuar e rrahur gjatë manifestimit të festës së Kreshmës të dielën.
Stamekoviq ka thënë se një person e ka goditur shkaku që ka shprehur qëndrimet e tij kundër Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Më tha mund të më vrasë e para asaj mund të më dhunojë dhe i thashë se kushdo mund ta sulmojë këdo por nuk është normale, sepse jemi njerëz dhe duhet ta respektojmë njëri tjetrin. Sapo e ktheva kokën që ta shihja mikun tim ai më kapi dhe më hodhi për asfalti. Pastaj rashë dhe më goditi përsëri dhe përsëri. E lëndova kokën, qafën e edhe kam mavijosje në të majtë e të djathtë të vitheve”, ka thënë politikani serb.
Policia ka konfirmuar paraqitjen e këtij rasti.
Më 22.02.2026, në orën 21:08, në Shtërpcë, një viktimë mashkull kosovar-serb ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një person i panjohur. Viktima ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe i është ofruar tretman mjekësor. Rasti është iniciuar si ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe njësitet relevante policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin e të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë, drejtoria në Ferizaj.
E Stamenkoviq ka deklaruar se pavarësisht se ka pirë ashtu si të gjithë që ishin pjesë e festës, ai nuk i ka bërë askujt asgjë të keqe.
Ai ka thënë se sulmuesi është person i njohur për policinë dhe kërkon që të vendoset drejtësi pa ndërhyrje politike.
“Nuk e di nëse dikush në Polici do që t’i mbrojë ata, por e dimë që në Ballkan gjithçka është politikë dhe çdo institucion është aq i korruptuar, saqë duan ta fusin në sirtar cilido incident sepse nuk e di, për përfitime apo për qëllime të këqija dhe sigurisht ka shumë dëshmitarë që mund ta vërtetojnë se asnjë të keqe nuk ia kam thënë askujt”, ka thënë Stamenkoviq.
Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë thënë se Policia ende nuk ua ka dërguar lëndën.
Për rastin e tij, kanë reaguar edhe disa politikanë opozitarë serbë.
Kryetari i subjektit politik SNP, Milija Bishevac, ka shprehur përkrahje duke thënë se “për vite dhuna ka qenë mjet për trajtimin e disidentëve dhe mënyrë e disiplinimit të atyre që mendojnë dhe flasin ndryshe”.
Ngjashëm ka reaguar edhe asamblisti i SZS në Mitrovicën e Veriut, Marko Jakshiq, i cili ka shkruar në Facebook se arena politike duhet të jetë luftë qëndrimesh, argumentesh e jo e heshtjes përmes grushtesh.
Lista Serbe nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me incidentin.