LAJMET E MBRËMJES

Pezullohet vendimi për uljen e pagave në drejtësi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë vendim që e shtyn ekzekutimin e vendimit për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ulja e pagave për këtë kategori nuk do të bëhet të paktën, derisa gjykata të vendosë nëse vendimi i kryeministrit Albin Kurti ishte apo jo i ligjshëm. Gjykata si bazë ligjore për këtë vendim pati Ligjin e Prokurorit të Shtetit dhe Ligjin për Gjykata, nenet e të cilave i rregullojnë pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe specifikojnë se pagat e tyre nuk mund të ulen gjatë periudhës së shërbimit të tyre

Raporti: Saranda Ramaj

Tri ditë pas ngritjes së padisë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për mosekzekutimin e vendimit të Qeverisë Kurti rreth uljes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Padinë ndaj Qeverisë për vendimin, Shoqata e Prokurorëve e ka deponuar të martën e në të kërkonte edhe masë të sigurisë, në mënyrë që të ndalohet ekzekutimi i tij.

Përderisa ende nuk ka verdikt nëse vendimi është i jashtëligjshëm apo jo, gjyqtarja Luljeta Maxhuni ka vendosur për masën e sigurisë. Me këtë, pagat në sistemin e drejtësisë nuk do të ulen së paku deri në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit.

Për këtë vendim, gjyqtarja Luljeta Maxhuni është thirrur në Ligjin për Prokurorin e Shtetit, atë të gjykatave dhe në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata iu referua po ashtu edhe nenit 21 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, në të cilin është përcaktuar se: Pavarësisht nga ndonjë dispozitë tjetër e ligjit, paga e prokurorëve të shtetit nuk do të zvogëlohet gjatë periudhës së shërbimit të tyre, përpos nëse kjo caktohet si sanksion nga Këshilli Prokurorial apo Komisioni Disiplinor i Këshillit”, thuhet në aktvendim.

Në vendim, gjyqtarja Maxhuni ka arsyetuar se Qeveria nuk dëmtohet, po qe se vazhdojnë t’i paguajnë njëjtë prokurorët e gjyqtarët, deri në vendim përfundimtar të gjykatës për ligjshmërinë e vendimit.

“Gjykata konstatoi se asnjë dëm i pariparueshëm apo vështirë i riparueshëm nuk do të mund t’i shkaktohej së paditurës-kundërpropozueses për faktin që pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve veçse ishin të planifikuara, sipas ligjit për ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022”, thuhet në aktvendim.

Pas vendimit të Qeverisë Kurti për uljen e pagave të prokurorëve e gjyqtarëve, Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial vendosën për reduktimin e punës vetëm në shërbime esenciale dhe emergjente.

Kryeministri Albin Kurti, duke e komentuar vendimin, i ka kualifikuar si padrejtësi privilegjet që i quajti të jashtëligjshme.

“Ne nuk mund të merremi me vendimet të cilat i bënë gjyqësori, por më duhet të konstatoj me keqardhje që kur vije puna për vetvete po dalin të jenë shumë efikas, për dallim prej lëndëve të panumërta që janë pluhurosur në sirtarët e pallatit të drejtësisë, që lëngojnë aty e nuk trajtohen as me kohë e as siç duhet. Pra, është për të ardhur keq që shpejtësinë dhe efikasitetin po e dëshmojnë atëherë kur kanë interes vetë, interes të ngushtë”, ka thënë Kurti.

Ditët e fundit janë adresuar kritika të shumta ndaj Prokurorisë së Shtetit e gjyqësorit. Rasti i vrasjes së gruas 35-vjeçare me foshnjën e saj në bark, para Klinikës së Gjinekologjisë, ka nxitur revoltë kundër institucioneve të drejtësisë.

Viktima e kishte paraqitur rastin për kanosje në hetuesi, porse prokurori, Rasim Maloku, e ka lënë të lirë të dyshuarin.

KOHA ka bërë përpjekje që ta kontaktojë prokurorin Maloku si dhe Prokurorinë e Ferizajt, por ata nuk janë përgjigjur.