Emisarët euro-amerikanë kanë qëndruar në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i dhënë dinamikë të re dialogut mes dy shteteve. Në takim me kryeministrin Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ata kanë prezantuar edhe një plan për të ecur përpara drejt normalizimit, por detajet e të cilit nuk janë shpalosur. Nga Prishtina, Lajçaku kërkoi veprime të shpejta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E Kurti tha se prioritet ka sigurinë, pas sulmit në Banjskë
Plan të ri për ecjen përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë kanë ofruar emisarët euro-perëndimorë gjatë vizitës së tyre në Prishtinë dhe Beograd. Megjithëse nuk janë shpalosur detaje të dokumentit që kryeministrit Albin Kurti i është dorëzuar të shtunën, ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak, ka kërkuar veprime prej palës kosovare.
Theksin e ka vënë tek ujdia për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Erdhëm me një plan, e diskutuam me Kurtin dhe do ta diskutojmë me Vuçiqin. Nuk do të jap detaje. Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres në normalizim, nëse Kosova dëshiron të bëjë progres në BE. Duhet ta përsëris që Asociacioni duhet të formohet pa vonesa. Pa këtë, s’do të ketë progres të Kosovës në integrimin evropian. E vlerësojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet së shpejti. Tani do ta vazhdojmë misionin në Beograd, ku do ta takojmë presidentin Vuçiq”, ka thënë Lajçak në një konferencë për media në oborrin e Qeverisë në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin Kurti.
Lajçaku e ka udhëhequr ekipin e pesëshes euro-amerikane, në përbërje të të cilit ishin edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës e Italisë.
Emisari i BE-së ka deklaruar se e vlerësojnë gatishmërinë e Kurtit për diskutime në të ardhmen e afërt.
Qeveria konfirmoi se kryeministri Kurti ka pranuar planin, për të cilin kryeministri ka shprehur vlerësime. Por ka insistuar se, pas sulmit të 24 shtatorit, prioriteti kryesor për Kosovën është siguria e saj.
Kurti e ka përsëritur kërkesën për ndëshkim të Serbisë, në mënyrë që të mos përsëriten sulme të tilla, si ai në Banjskë të Zveçanit, ku një grup paraushtarak serb vrau një polic të Kosovës dhe një tjetër e plagosi.
“Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, shkruan në komunikatën e Zyrës së kryeministrit, e cila është lëshuar pas takimit.
“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, vijohet në komunikatë.
“Shtensionimi, më urgjent se kurrë”
Edhe emisari Lajçak e ka dënuar sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, por, sipas tij, ai nuk duhet të përbëjë arsye për kushtëzim të dialogut.
“E dëgjuam me kujdes Kurtin dhe shqetësimet e tij për sigurinë e Kosovës. Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga personat e armatosur përbën një precedent. Dënuam sulmin e 24 shtatorit. E bëmë të qartë që fajtorët të sillen para drejtësisë dhe presim bashkëpunimin e plotë të Serbisë në këtë çështje. Sulmi tregoi se normalizimi dhe shtensionimi janë më urgjente se kurrë. Kushtet dhe vonesat janë të papranueshme dhe presim që Kosova dhe Serbia t’u përmbahen obligimeve të dialogut. Sulmi nuk ndryshon faktin se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më herët këtë vit”, ka potencuar Lajçak.
Ai ka bërë të ditur se sulmi në Banjskë është duke u hetuar nga BE-ja dhe NATO-ja.
“Procesi është duke vazhduar. BE-ja dhe NATO janë duke hetuar faktet. Do të informoheni për rezultatet”, ka thënë ai.
Lajçaku është pyetur për kritikat e Qeverisë së Kosovës se po ia mban anën Serbisë. Por ai këtë e mohoi duke thënë se është i fokusuar në arritjen e normalizimit.
Teksa Lajçaku përgjigjej në këtë pyetje, Jens Plotner – këshilltar i kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz – lëvizi duart edhe te pjesëmarrësit e tjerë, duke konfirmuar mbështetjen për emisarin Lajçak.
Përveç Lajçakut e Plotnerit, pjesë e delegacionit ishin edhe zëvendësndihmëssekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltari për polikë të jashtme dhe siguri i presidentit të Francës, Emmanuel Bonne, si dhe Alessandro Cattaneo, zëvendëskëshilltar diplomatik i kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni.
Bashkëpunim për hetimin e sulmit në Banjskë
Pas takimit me Kurtin, diplomatët europerëndimorë janë nisur menjëherë drejt Beogradit, ku takuan presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq e ka quajtur të vështirë takimin që ka pasur me pesë diplomatët perëndimorë të shtunën.
“Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, ka shkruar Vuçiqi në rrjete sociale, pas takimit që ka pasur me ta.
Pas takimit, Lajçaku ka thënë para gazetarëve se tema e vizitës ishte se si të arrihet përparim në zbatimin e marrëveshjes për normalizim dhe shtensionim të situatës, pas ngjarjeve të fundit. Ai ka përsëritur fjalët që i ka thënë në Kosovë se pesëshja dënon sulmin ndaj Policisë së Kosovës që ka ndodhur më 24 shtator dhe se ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë e se ndërkombëtarët presin bashkëpunimin e plotë të Serbisë në këtë drejtim.
Lajçaku ka thënë se pa normalizim të raporteve e zbatim të marrëveshjeve “nuk do të ketë të ardhme evropiane për Serbinë e Kosovën”.
E, në një postim në platformën sociale X, takimet me Kurtin dhe Vuçiqin, Lajçak i ka quajtur të rëndësishme dhe përmbajtjesore.
“Kemi theksuar se 24 shtatori duhet të hetohet plotësisht dhe se urgjentisht duhet të ketë shtensionim e normalizim. Presim që të dy t’u përmbahen obligimeve nga dialogu”, ka shkruar ai.
Lajçaku po ashtu ka paralajmëruar se për takimet e së shtunës do të njoftohen shtetet anëtare të BE-së dhe se kjo çështje do të diskutohet edhe në Këshillin e BE-së.
Kjo është vizita e parë e ndërmjetësve të dialogut pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Ndërkaq takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte mbajtur 10 ditë para sulmit, ku palët dështuan të gjejnë zbatim rreth planit për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, gjë për të cilën BE-ja e kishte lënë fajtore palën kosovare.
Marrëveshja bazë ishte nënshkruar më 27 shkurt në Bruksel, ndërkaq aneksi për zbatimin e saj më 18 mars në Ohër. Prej atëherë, asnjëra prej pikave të dakorduara mes palëve nuk ka nisur të zbatohet.
Edhe pas sulmit në Banjskë, BE-ja po vazhdon t’i mbajë në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës me arsyen se ende nuk janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në veri. Njëri prej këtyre hapave është organizimi i zgjedhjeve të reja në atë pjesë, sa më shpejt dhe pa kushtëzime.
Sa i përket Serbisë, BE-ja ka mbetur te qëndrimi i mëhershëm se janë duke e shqyrtuar vendosjen e sanksioneve, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet në Banjskë. Udhëheqës të Kosovës kërkuan në vazhdimësi që Serbia të mbahet përgjegjëse, meqë, sipas tyre, ajo ka tentuar ta aneksojë veriun e Kosovës, i cili u organizua nga Milan Radoiçiq, i cili pas sulmit ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.
Rohde: Vizita e pesëshes, përkushtim për zgjidhje të qëndrueshme
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka thënë se vizita e pesë diplomatëve perëndimorë në Kosovë e Serbi të shtunën, tregon përkushtimin e tyre për zgjidhje të qëndrueshme në raportet e Kosovës me Serbinë.
“Takimi i sotëm i emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, dhe katër të tjerëve nga Gjermania, Franca, SHBA-ja dhe Italia, me kryeministrin Albin Kurti thekson përkushtimin e palodhshëm të BE-së, Gjermanisë, Francës, SHBA-së e Italisë për zgjidhje të qëndrueshme dhe në këtë mënyrë për të përshpejtuar integrimin e plotë të Kosovës në familjen euroatlantike”, ka shkruar ai në platformën sociale X.
Shteti, ambasador i të cilit është Rohde, e edhe Franca kanë sponsorizuar marrëveshjen bazë të arritur së fundmi nga Kosova dhe Serbia, por e cila ka ngecur në zbatim.