LAJMET E MBRËMJES

Përplasja për Fondin e Sigurisë kalon në nivel bastesh

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten kanë diskutuar për sigurinë në vend, rreth dy muaj e gjysmë pasi ky debat ishte thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Aty u fol edhe për Fondin e Sigurisë, për të cilin Tahiri tha se nuk e ka kapur shifrën prej dy milionë eurosh, meqë, sipas tij, ka munguar angazhimi i Qeverisë. Për këtë gjë Tahiri vuri bast mandatin e deputetit. Ndonëse ministri i Financave nuk tregoi shifër, ai tha se është më e lartë se dy milionë euro, kësisoj i kërkoi Tahirit të japë dorëheqje.

Një debat i thirrur mbi dy muaj e gjysmë më parë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tek këtë të enjte e pati mundësinë të trajtohej në seancë të Kuvendit.

Debat ishte ftuar pas fillimit të luftës në Ukrainë e sidomos pas pozicionimit të Serbisë pro agresionit rus.

Por, polemika nxiti Fondi i Sigurisë për të cilin shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, vuri një bast.

“Nëse janë dhënë mbi 2 milionë në Fondin e Sigurisë deri në këto momente, unë e lë mandatin e deputetit”, ka thënë Tahiri.

“S’e them sa është, por s’është ajo që thatë ju dhe ju ftoj të jepni dorëheqje që sot. Dorëzojeni dorëheqjen”, ka thënë ministri i Financave Hekuran Murati.

Përveç ministrit të Financave, Tahiri polemizoi edhe me ministrin e Punëve të Brendshme.

“Je një prej ministrave që do të mbahesh mend në fillim të mandatit për punësimin e akrabave, motrave e vëllazërive”, ka thënë Tahiri.

“Unë nuk blej allti me pare të shtetit e me graviru e pastaj të mos e kthej kur e lëshoj pozitën”, është përgjigjur ministri Xhelal Sveçla.

Akuza ndaj ministrit Svecla pati edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

“Askush nuk mund të gradohet në polici nëse nuk është i afërm i juaji apo në qoftë se nuk është në funksion të plotë të politikës suaj. Policia po fillon të partizohet e jo të profesionalizohet”, ka deklaruar Berisha.

Me akuzat e Berishës nuk u mor ministri i Punëve të Brendshme, në fjalën e tij ai garantoi se situata e sigurisë në vend është stabile.

Svecla gjithashtu përmendi disa çështje që, sipas tij, nuk kanë përshkallëzuar për shkak të menaxhimit të mirë të Qeverisë.

“Procesi i reciprocitetit me targa, referendumi dhe procesi zgjedhor i Serbisë ishin çështje që do të mund të ndikonin në destabilitetin e vendit, por u menaxhuan me sukses falë punës, përgatitjes dhe përkushtimit të mekanizmave shtetërorë”, ka thënë Sveçla.

Për çështjet e sigurisë foli edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, por ai kritika mori për disa mirënjohje që i ka ndarë disa ditë më parë.

“Nuk do të doja të shihja një ministër të Mbrojtjes që shpërndan mirënjohje për letërsi. Nuk është detyrë e juaja”, ka deklaruar deputeti i LDK-së, ARmend Zemaj.

“Nuk kemi ndarë mirënjohje për letërsi, por kemi ndarë mirënjohje për njerëzit që kanë kontribuar për çështje kombëtare. Do t’i respektoj invalidët, veteranët familjet e dëshmorëve, njerëzit që kanë kontribuuar për çështje kombëtare sa të jem gjallë”, është përgjigjur Mehaj.

Para këtij debati, në një seancë plenare, deputetët kanë miratuar Projektligjin për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.