LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja kundër dy ligjeve të miratuara pas “seancës së grushteve”

Përjashtimi i veteranëve nga Ligji për pagën minimale që u miratua në seancën e së enjtes, ka nxitur reagimin e PDK-së. Në këtë parti, ligjin e kanë vlerësuar si diskriminues. Kritika kanë pasur edhe për miratimin e projektligjit për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës dhe përfshirjen e vitit 2000, që sipas tyre, është bërë me kërkesë të Serbisë

Dy vendimet e partive në pushtet që janë marrë mbrëmjen e së enjtes në Kuvend, janë kundërshtuar nga partia kryesore në opozitë, PDK. Përfaqësues të këtij subjekti politik thanë se mospërfshirja e veteranëve në Ligjin për pagën minimale është diskriminues.

Koordinatori i departamentit për financa në PDK, Arben Mustafa, tha në një konferencë shtypi se veteranët janë diskriminuar me përjashtimin e bërë edhe nga rritja e vogël e pagës minimale që nuk është në përputhje me rritjen e çmimeve në Kosovë.

“Sipas kësaj qeverie, përderisa një familje normale me një të punësuar në Kosovë nuk mund të jetojë me 170 euro, një familje e veteranit duhet të sfidohet dhe të vazhdojë të jetojë me 170 euro. Ky vendim paraqet një diskriminim të paskrupullt ndaj një kategorie të qytetarëve më fisniëk të këtij vendi”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, rritja e pagës minimale nga 170 në 264 euro është rritje simbolike e nuk paraqet përmirësim të kushteve të jetesës së punëtorëve të Kosovës.

“Paraqet vetëm një dorëzim tjetër para nevojave të qytetarëve”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo shumë është propozuar vite më parë, kur situata ka qenë ndryshe.

“Qeveria e Kosovës dhe deputetet e partisë në pushtet përmes votimit të mbremshëm e kanë shpërfillur rritjen e çmimeve në Kosovë dhe po sillen sikur të mos jenë duke jetuar në Kosovë dhe kanë votuar për një pagë minimale prej 264 eurosh aq sa ka qenë e propozuar vite më parë para rritjeve të çmimeve”, ka thënë Mustafa.

Ai paralajmëroi inicimin e ndryshimit të Ligjit për pagën minimale, me t’u publikuar në gazetën zyrtare.

Krahas mospërfshirjes së veteranëve në ligj, deputetja Blerta Deliu-Kodra, tha se me miratimin e projektligjit për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është zbatuar një nga kërkesat e Serbisë. Ajo tha se ky institut do të merret edhe me hetimin e krimeve deri në fund të vitit 2000, përkundër se kryeministri Albin Kurti ka përmendur vetëm vitet ’98-’99.

“Ky po që është një mashtrim i radhës. Kryeministri deklarohet në Facebook ndryshe e në fakt koha me të cilën heton krimet e supozuara të luftës në Kosovë është e zgjatur deri në vitin 2000. Dhe ky është një skandal i radhës i kësaj Qeverie”, ka thënë Deliu-Kodra.

Duke folur për seancën e mbajtur një ditë më parë, e cila u shoqërua me tensione e veprime të dhunshme, deputetja e PDK-së, tha se ato janë bërë me qëllim nga pushteti që të largojë vëmendjen nga incizimet ku është e përfshirë shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Dhuna është provoku prej zëvendëskryeministrit Bislimi. PDK-ja nuk ka shku në Kuvend për me provoku dhunë. Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, ndodh që qeveria e Republikës së Kosovës vjen dhe i sulmon deputetët”, ka deklaruar ajo.

Deputetja Deliu-Kodra tha se ajo dhe kolegët e saj deputetë do të vazhdojnë me veprime kundërshtuese ndaj Qeverisë së Kosoës, e do të kërkojnë llogari nga ajo e shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Me plotësim-ndryshimet e miratuara një natë më parë në Kuvend, e ku munguan deputetët e PDK-së dhe të dy partive të tjera opozitare, paga minimale është rritur nga 170 në 264 euro. Kjo rritje nuk është përkrahur nga sindikatat e punëtorëve në Kosovës, me arsyetimin se është e pamjaftueshme krahas rritjes së çmimeve.