Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja akuzon ministren Hajdari për korrupsion dhe cenim të fjalës së lirë, kërkon zgjedhje

Akuza të shumta ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe kryeministrit Albin Kurti kanë bërë të dielën nga Zyra e PDK-së. Në konferencë për media, deputetja Eliza Hoxha i ka akuzuar të dy zyrtarët për keqpërdorime me rezervat shtetërore, si dhe për pengimin e fjalës së lirë. Ajo ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e ka akuzuar ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për përfshirje në skandale korruptuese. Në konferencën për media mbajtur të dielën, Hoxha e ka quajtur atë edhe ministre të paaftë.

Hoxha iu referua një incizimi të publikuar ditë më parë nga gazeta “Nacionale”, ku sipas këtij mediumi zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bisedojnë lidhur me nënshkrimin e një kontrate për rezervat shtetërore. Hoxha ka thënë se incizimi vërteton se ministrja Hajdari ka kontraktuar dhe paguar mall që nuk ka ardhur në Kosovë.

“Keqpërdorimi me rezervat shtetërore është një nga skandalet korruptuese që cenojnë jo vetëm rezervat, por në fakt cenojnë integritetin e përgjithshëm shoqëror dhe institucional. Të vjedhësh dhe të abuzosh me elementet bazike të jetesës, siç është vaji, gruri e të tjera, është hajni e paprecedent që ka instaluar Qeveria Kurti”, ka thënë Eliza Hoxha.

Sipas saj, partia që përfaqëson ka ngritur dyshime për keqpërdorim të rezervave shtetërore shumë muaj më parë.

“Partia Demokratike e ka ngritur zërin dhe shqetësimin në raport me rezervat shtetërore dhe dyshimet e bazuara për keqpërdorime si në rezervat e grurit, dhe sot kur po flasim edhe për rezervat e vajit. Rozeta Hajdari është një ministre e paaftë e cila për dy vite e gjysmë jo vetëm që nuk ka pasur kurrfarë rezultati, por ka qenë protagoniste e skandaleve të njëpasnjëshme”, ka deklaruar deputetja Hoxha.

E përfaqësuesja e PDK-së ka ritheksuar kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Ajo ka thënë se ato janë të pashmangshme.

Edhe Konfirmohet aktakuza kundër ish-ministres Rozeta Hajdari LAJMET E MBRËMJES Konfirmohet aktakuza kundër ish-ministres Rozeta Hajdari

“Sot Kosova nuk i ngjason as për së afërmi Kosovës që ne ëndërruam, Kosovës që qytetarët e duan dhe kjo është evidente në çdo drejtim. Prandaj për Partinë Demokratike të Kosovës janë të pashmangshme zgjedhjet dhe duhet të ndodhin sa më parë, në mënyrë që Kosova të rikthehet në profilin e saj të synuar, të jetë një shtet i ri e me plot shpresë e të ardhme dhe me orientim të qartë e zhvillim shoqëror, ekonomik e demokratik”, ka theksuar Hoxha.

Deputetja kritikoi ministren Hajdari edhe për pezullimin e certifikatës së biznesit të mediumit Klan Kosova. Sipas saj, vendimi përbën kërcënim të hapur për vlerat demokratike.

“Ky veprim i paprecedent përbën një akt autoritar që ndodh në një shoqëri demokratike dhe shpërfaq zellin e madh që ka Albin Kurti dhe qeveria e tij kundër mediave dhe fjalës së lirë. Me këtë veprim kryeministri Albin Kurti i ka vënë një njollë të errët Republikës së Kosovës dhe rendit tonë demokratik të cilin e kemi aspiruar dhe e duam në mesin tonë”, tha deputetja e PDK-së.

Nga Klan Kosova kanë bërë të ditur se vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do ta sfidojnë në gjykatë.