Oferta e menaxhmentit të KEDS-it dhe KESCO-së për rritje të pagës për 30 euro, për punëtorët është e papranueshme. Ata po insistojnë që rritja të jetë 100 euro.
Për këtë arsye të mërkurën kanë mbajtur grevë 2-orëshe para ndërtesës së këtyre dy kompanive.
Greva do të vazhdojë edhe në dy ditët e ardhshme.
“Ne kemi pasur shumë bisedime jemi ulur e kemi parë që ka qenë një kohë COVID-i, pastaj ka qenë kriza energjetike, ne nuk deshëm me i bë presion për shkak të krizës energjetike e pritëm ashtu siç na tha menaxhmenti të presim deri në mars, në mars pritëm, u ulëm, ai në takim na ofroi rritje prej 30 eurosh për punëtorë ku për neve si Sindikatë kjo është e papranueshme, nuk mund të pranojmë rritje prej 30 eurosh për punëtorë”, ka deklaruar Ahmet Hyseni, kryetar i Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova”.
Punëtorët kanë paralajmëruar se nuk do të zmbrapsen deri në realizimin e kërkesës së tyre.
Këtë kërkesë e kanë lidhur edhe me rritjen e çmimeve të produkteve bazike në nivel vendi.
“Kjo ka qenë deshtë kaherë me reflektu sepse disponimi i punëtorëve është zero në krahasim me të ardhurat mujore, ne të gjithë jemi të certifikuar dhe të specializuar, një bari mund të realizojë këto të ardhura mujore sa na përket, nuk është kjo zgjedhje me 100 euro, por për momentin ndoshta me u tërheqë prej këtij presioni se ne jemi të gjithë mbajtës të familjes sa që kërkesat nuk janë askund. Çmimet janë katërfishuar”, ka deklaruar Avdullah Miftari nga distrikti i Prishtinës.
“E nevojshme është edhe më tepër se çmimet e larta, pastaj COVID ka destabilizuar të gjithë familjet dhe kështu kemi vendosur kërkesat tona të realizohen me rritje të pagave deri në 100 euro... Një ofertë josimbolike për punëtorët që punojnë në terren dhe janë të rrezikuar punojnë në kushte të vështira por të gjithë për këtë ekzistencë vijnë dhe na duhen patjetër”, ka shtuar Nurie Sopi, teknike e energjetikës në KEDS.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, çmimet e konsumit kanë shënuar një rritje prej 11 për qind krahasuar me prillin e vit të kaluar, që është rritja më e madhe që ka ndodhur në dekadën e fundit.
Rritjen e çmimeve sipas Qeverisë është rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe vazhdimësi e pasojave të shkaktuara nga Covid-19. Por, ka pasur edhe raportime për abuzime me çmime nga ana e tregtarëve.
Të enjten do të mbajnë grevë njëorëshe të gjithë punëtorët e sektorit publik në shenjë pakënaqësie për mospërfilljen e kërkesës për 100 euro shtesë çdo muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga.