Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Paralajmërohet fillimi i një vale të re me COVID-19

Numër treshifror i të infektuarve me koronavirus është regjistruar edhe gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuara të dielën, janë 164 raste të reja me koronavirus. Infektologu Hamdi Ramadani e vlerëson si një fillim të një vale të re me COVID-19. Fluksi i mërgimtarëve dhe numri i ulët i vaksinimit janë vlerësuar si shkaqet e rritjes së rasteve. Në 24 orët e fundit u dhanë vetëm 14 vaksina në të gjithë vendin

164 raste të reja me COVID-19 janë regjistruar të dielën në Kosovë nga testimi i 570 mostrave.

961 persona u prekën me këtë virus që nga e hëna, një rritje e madhe krahasuar me javët e shkuara. Rritja më e lartë e rasteve është shënuar më 2 korrik, ku u regjistruan 205 raste pozitive.

Infektologu Hamdi Ramadani thotë se faktor i kësaj rritjeje është numri i madh i njerëzve të mbledhur në restorante, qendra tregtare, pa distancë dhe higjienë të nevojshme kolektive.

Po ashtu, thekson se kjo vjen edhe nga numri i ulët i vaksinimit, sidomos me dozën e dytë dhe të tretë. Në 24 orët e fundit, në të gjithë vendin u dhanë vetëm 14 vaksina anti-COVID.

“Kjo situatë e krijuar, e paraqitur, e rritjes së rasteve për ekspertët e fushës së mjekësisë veç ka qenë edhe e pritur, edhe e njohur për faktin se 3 javë e sa në vendin tonë është një numër i madh i fluksit të qytetarëve, mërgimtarëve, të cilët punojnë përkohësisht në vende të ndryshme jashtë vendit, në Evropë, në vende të tjera”, ka thënë Ramadani.

Edhe 15 raste pozitive me COVID-19 të premten në Kosovë Arbëri 15 raste pozitive me COVID-19 të premten në Kosovë

Sipas tij, populli duhet të ndërgjegjësohet në marrjen e vaksinës.

“Nuk e kam të qartë, për shkak se pse qytetarët tanë ende po hezitojnë, nuk vrapojnë, nuk e marrin dozën e tretë të vaksinës, kur mendoj, vaksina është e pranishme, është e rezervuar, ekipet e vaksinimit janë duke funksionuar, kjo vaksinë i ka kaluar të gjitha ato fazat e kontrollit, verifikimit, është e certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë shëndetësorë”, shtoi ai.

E infektologu Arben Vishaj ka folur për pasojat shëndetësore të virusit. Krahas mushkërive, ka thënë se janë vërejtur pasoja edhe në çrregullimin e enëve të gjakut dhe probleme kardiake.

“Rekomandimet dhe protokollet, të cilat dalin nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe rekomandimet që jepen nga Ministria e Shëndetësisë e nga të gjithë ne, duhet të respektohen. Sëmundja e COVID-19 lë pasoja pothuajse në të gjitha organet, por më tepër lë pasoja në mushkëri. Duke shkaktuar kryesisht fibrozë të mushkërive, por mund të lërë pasoja edhe në çrregullimin e enëve të gjakut dhe probleme kardiake”, ka thënë drejtori i Klinikës Infektive, Vishaj.

Edhe Kërkesë e ulët për hospitalizim me COVID-19, infektologët vlerësojnë vaksinimin Arbëri Kërkesë e ulët për hospitalizim me COVID-19, infektologët vlerësojnë vaksinimin

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës rekomandojnë qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave mbrojtëse kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen.

Në 24 orët e fundit, sipas njoftimit të MSH-së, janë shëruar 49 persona dhe kjo ka bërë që të vazhdojë të rritet numri i rasteve aktive. Aktualisht janë 1.012 në të gjithë vendin.