Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Liria e shteti i Kosovës mbajnë vulën e familjes Jashari dhe mijëra ushtarëve të UÇK-së

Në kazermën “Adem Jashari”, me rreshtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shënuar 25-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ceremoni morën pjesë anëtarë të familjes Jashari e krerët më të lartë të shtetit të cilët përkujtuan me mburrje sakrificën e Jasharëve dhe luftës së UÇK-së për çlirim.

Forca e Sigurisë së Kosovës, nën tingujt e dy himneve, u rreshtua në Kazermën “Adem Jashari” për ta nderuar 25-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Para njësive ushtarake të FSK-së parakaloi komandantja supreme, Vjosa Osmani.

Presidentja e vendit u shpreh se liria e shteti i Kosovës mbajnë vulën e komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes së tij dhe të 3000 dëshmorëve të UÇK-së e mijëra luftëtarëve të tjerë.

Sipas saj, Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm histori e luftës, por edhe e këmbënguljes e shpresës.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur e i tillë do të jetë përjetësisht. Kosova është amaneti i tyre. E tashmja dhe ardhmja e brezave. Populli i Kosovës u bashkua, luftoi dhe së bashku dolëm fitimtarë. Sot ne po jetojmë në një kohë pasigurie globale, por do të marrim forcë nga heronjtë tanë nga amaneti i tyre, por edhe nga pasardhësit e ushtrisë sonë çlirimtare, vajzat e djemtë e ushtrisë sonë të rreshtuar sot në nderim të heronjve, e të cilët kudo po e përfaqësojnë denjësisht Republikën”, ka thënë Osmani.

Edhe Kurti: FSK-ja është kthyer në një ushtri që mund ta ketë ëndërruar vetë Adem Jashari LAJMET E MBRËMJES Kurti: FSK-ja është kthyer në një ushtri që mund ta ketë ëndërruar vetë Adem Jashari

E kryeministri Albin Kurti, theksoi se lufta e ndezur nga forcat serbe në Prekaz, ka nxitur mobilizimin e njerëzve rreth UÇK-së, të cilët e arritën edhe mbështetjen e NATO-s, me përkrahjen e së cilës siç tha ai, iu dha goditja përfundimtare Serbisë dhe u çlirua Kosova.

Kurti gjatë fjalimit të tij, pati edhe një porosi për pjesëtarët e FSK-së.

“Ju ushtare dhe ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sa herë që e veshin uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, Kryekomandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, nga kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë ka kërkuar që për hir të gjakut të dëshmorëve klasa politike të bëhet bashkë që siç tha ai, “t’i arrijmë qëllimet shekullore”

Jashari ka thënë se është krenari për të që të gjendet para ushtarëve të FSK-së, për të cilën është pritur e ëndërruar gjatë.

“Ju uroj 25-vjetorin, ju uroj shëndet e punë të mbarë. Ishalla Zoti na ndihmon e i arrijmë qëllimet tona shekullore. Për hir të luftës, gjakut të bijve e bijave tona, të gjejmë gjuhë të përbashkët e t’i arrijmë qëllimet deri në maksimum, si gjitha shtetet që ekzistojnë në botë. Lavdi dëshmorëve e gjithë të rënëve”, ka thënë Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari.

Edhe Në kujtim të sakrificës së Jasharëve, bëhet thirrje për unitet Arbëri Në kujtim të sakrificës së Jasharëve, bëhet thirrje për unitet

Nga luftimet me forcat serbe, 59 anëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë të Jasharëve kanë mbetur të vrarë në datat 5, 6 e 7 mars të 1998-s.

Në kazermën “Adem Jashari” edhe në këtë vit, nuk mungoi interesimi i qytetarëve për të parë nga afër parakalimin e ushtarëve të FSK-së.