Në kazermën “Adem Jashari”, me rreshtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shënuar 24-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ceremoni morën pjesë anëtarë të familjes Jashari e krerët më të lartë të shtetit. Aty, si dhe në seancën solemne të Kuvendit, u përmendën me mburrje sakrifica e Jasharëve dhe lufta e UÇK-së për çlirim
Forca e Sigurisë së Kosovës, nën tingujt e dy himneve atij kombëtar dhe shtetëror, të shtunën u rreshtua në kazermën “Adem Jashari” për ta nderuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Para njësive ushtarake të FSK-së ka parakaluar komandantja supreme, Vjosa Osmani. Për të bërë nderime në 24-vjetorin e Epopesë, të pranishëm, përveç presidentes së shtetit, në këtë ceremoni shtetërore kanë qenë edhe anëtarë të familjes Jashari, kryeministri, kryeparlamentari e deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Nga luftimet me forcat serbe, 59 anëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë të komandantit Adem Jashari kanë mbetur të vrarë në datat 5, 6 e 7 mars të 1998-s, mes tyre 10 fëmijë.
Presidentja Osmani ka folur për rezistencën e UÇK-së e sakrificën e Jasharëve, pa të cilat ka thënë se nuk do të vinte liria. Ka theksuar se derisa Jasharët mbrojtën idealet për shtet sovran, Ushtria Çlirimtare vulosi fatin e Kosovës. Sipas saj, barra e sigurisë për popullin u takon djemve e vajzave nën uniformën e FSK-së. Për t’i dhënë kuptim lirisë dhe për të nxjerrë mësime nga historia, Osmani ka thënë se duhet të vihet edhe drejtësia për të gjithë të rënët gjatë luftës në Kosovë.
“Kjo familje është portreti i lirisë sonë, e cila ishte e zorshme për t’u arritur, për të cilën u desh shumë mund, për të cilën ranë edhe 3 mijë dëshmorë të UÇK-së, 13 mijë civilë, u dhunuan afro 20 mijë gra e burra dhe të zhdukur me dhunë janë 1.600 persona, por ende nuk ka drejtësi për asnjërin nga ta”, ka thënë presidentja.
Në këtë ceremoni shtetërore, Osmani ka shtuar se anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit të Kosovës dhe se, sipas saj, është e domosdoshme që kjo të bëhet sa më parë, meqë një gjë e tillë, sipas saj, është parakusht për paqe në rajon.
Derisa iu drejtua ushtarakëve, duke folur për vargun e ngjarjeve heroike të UÇK-së, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova duhet të merret shembull nga bota demokratike pasi që në historinë e saj, nuk ka pasur trima pushtimi, por dëshmorë që kanë rënë për çlirim. Përderisa ka përmendur luftën Rusi-Ukrainë dhe rezistencën e kësaj të fundit, Kurti ka thënë se me të bëhet e qartë dhe vërtetohet edhe rëndësia dhe vlera e Epopesë së UÇK-së.
“Kosova i dhuroi botës aktin më të pashembullt flijimin e të gjitha moshave për lirinë, familjen Jashari. Sa më shumë vonohet veprimi i shoqërisë politike, aq më shumë civili bëhet ushtar e dëshmor, sepse detyrohet. Dhe, dëshmia do të na bërtasë më pas nga numri i varreve, nga emrat e grave dhe moshat e fëmijëve të gdhendur në mermer”, ka thënë ai.
Për këtë ngjarje, që ka ngelur në historinë e Kosovës, me disa fjalë, të pranishmëve iu drejtua edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.
“Dhimbje e ato do t’i hedhim krejt, se liria i mund të gjitha, vetëm na duhet të kemi një gjuhë të përbashkët, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të bashkëpunojmë që t’i arrijmë qëllimet tona shekullore”, ka thënë ai.
Për Epopenë, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne. Aty, nga kryeministri i Kosovës u përmendën edhe luftëtarët e UÇK-së, të cilët aktualisht po mbahen në burg në Hagë.
“Është e pamundur të mos e përmend, që në kohën kur ne kujtojmë një prej masakrave më të tmerrshme të luftës sonë çlirimtare dhe prej heroizmave të pashembullt, në Hagë kemi bashkëluftëtarë të Adem e Hamzë Jasharit që mbahen në burg, pikërisht për këtë luftë, pikërisht për këtë narrativë që e kemi ndërtuar me gjak, ndërkaq Serbia dëshiron ta rindërtojë me gënjeshtra”, ka thënë Kurti.
Në këtë seancë, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka vlerësuar lart veprën e ushtarëve të UÇK-së e sidomos të Jasharëve. Konjufca ka thënë se nuk ka shprehje, këngë, vepër apo art që do të mund të arrijë ta përshkruajë apo ta prekë këtë sakrificë të tyre.
“Ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët me të cilën filloi shekulli XX ishte Pavarësia e Shqipërisë, kurse ngjarja më e rëndësishme me të cilën u mbyll ky qindvjeçar ishte çlirimi i Kosovës. E ngjarja më e rëndësishme brenda çlirimit pa dyshim që është rënia heroike dhe sakrifica kolosale e Jasharëve, me në krye komandantin legjendar, Adem Jashari”, ka thënë Konjufca.
Këtë ditë e kanë shënuar edhe liderët opozitarë.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Epopeja e UÇK-së manifeston më së miri rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Me amanetin e tyre në zemër, obligimi dhe detyra jonë e përhershme është ndërtimi i një shteti të zhvilluar e demokratik, që materializon lirinë, barazinë e perspektivën për të sotmen dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve tanë”, ka thënë Krasniqi.
Ngjarje kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim e ka cilësuar Epopenë e UÇK-së edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ashtu si dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili edhe mori pjesë në ceremoninë shtetërore në kazermën “Adem Jashari”.