Presidentja Vjosa Osmani kërkoi vigjilencë nga ushtarët e Kosovës dhe tha për ta se janë të gatshëm ta mbrojnë secilën pëllëmbë të territorit shtetëror. Në fjalimin vjetor në FSK, që të mërkurën e mbajti në kazermën në Istog, komandantja supreme dha mesazhin se ata që duan ta sfidojnë paqen e Kosovës do të marrin përgjigje ashtu siç e kishin marrë më 1999. Të njëjtën ditë kërcënime me ushtri lansoi Serbia.
Nga një kazermë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ia çoi disa mesazhe Serbisë.
E veshur me uniformën ushtarake, komandantja supreme deklaroi se ata që duan ta sfidojnë paqen dhe lirinë e Kosovës do ta marrin përgjigjen e njëjtë qysh e kishin marrë më 1999 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“E kemi dëshmuar në vitet ‘90, kur ushtria jonë çlirimtare, edhe pse e paktë në numër në krahasim me ushtrinë gjenocidale e policinë serbe, kishte vullnetin e shpirtin luftarak shumëfish më të madh, sepse ishte në mbrojtje të atdheut. Pikërisht ky shpirt luftarak në mbrojtje të shtëpisë sonë të përbashkët, Kosovës, rezultoi me lirinë që e gëzojmë sot e të cilën do ta mbrojmë me çdo kusht e çdo moment”, ka thënë Osmani.
Në fjalimin vjetor para FSK-së, presidentja tha se Ushtria e Kosovës është e gatshme ta mbrojë vendin në secilin cep.
“Djemtë e vajzat e forcës sonë janë të gatshëm për ta mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës, në çdo pëllëmbë të tij”, ka shtuar ajo.
Por, FSK-ja mund të shkojë në veri vetëm me leje të posaçme të KFOR-it, meqë garanci për këtë ka dhënë pararendësi i Osmanit, ish-presidenti Hashim Thaçi, në një zotim të shkruar të cilin ia pati ofruar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
E njësitet e ushtrisë serbe kanë shtuar praninë në kufi me Kosovën. Një njësi të pozicionuar ndërmjet Kralevës dhe Rashkës, një ditë më parë e ka vizituar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Këtë informacion e dha ministri i Mbrojtjes i këtij shteti, e i cili foli edhe me tone kërcënuese.
“Serbia është e gatshme për një marrëveshje, por nuk do të thotë injorim i vijave të kuqe. Varet nga ne që të gjejmë një zgjidhje politike dhe në të njëjtën kohë ushtria dhe Policia janë të gatshme të mbrojnë Serbinë dhe qytetarët e saj”, ka thënë ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.
E, në fjalimin e fundvitit para FSK-së që e mbajti në Istog, presidentja Osmani u kërkoi ushtarëve të Kosovës vigjilencë e devotshmëri ndaj atdheut dhe tha se anëtarësimi në NATO është vizion strategjik dhe destinacion i Kosovës.