Dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti është parë si zgjidhje për të dalë nga situata e krijuar prej kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Përveç Haradinajt, në lidhje me prishjen e raporteve me SHBA-në, ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Për deklarimet e një dite më parë të ambasadorit të SHBA-së, Jeffrey Hovenier, kanë heshtur nga Presidenca
Një ditë pasi konfirmoi se Rregullorja e BQK-së ka ndikuar në raportet e SHBA-së me Kosovën, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Pas takimit me Hovenierin, Krasniqi shkroi se do të angazhohen në avancimin e raporteve të mira me SHBA-në.
“Në prag të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar lart mbështetjen e pakusht e të parezervë të SHBA-së në rrugëtimin e gjatë të vendit tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, theksova se janë thelbësore ruajtja dhe thellimi i partneritetit me SHBA-në – kryealeatin strategjik të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Paraprakisht, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dëmtimin e raporteve me Amerikën e konsideroi alarmante.
"Kjo është një situatë dramatike, kjo është një situatë e cila automatikisht duhet të ndërmerren veprime për t’u ndryshuar dhe për t’u kthyer ky raport qenësor, ekzistencial i Kosovës, aty ku ka qenë dhe aty ku e dëshirojnë qytetarët e vendit tonë", ka thënë ai.
Krasniqi më tej ka thënë se Kurti nuk e ka legjitimitetin t’i shkatërrojë aleancat e Kosovës.
“Albin Kurti ka fituar zgjedhjet për t’i realizuar premtimet që u ka dhënë njerëzve. Nuk e ka premtuar asnjëherë që ai do të shkatërrojë raportet e Kosovës me Perëndimin e me SHBA-në në mënyrë të veçantë. Andaj ai nuk ka as të drejtë as legjitimitet dhe as nuk do ta lejojmë që të bëjë një gjë të tillë”, ka deklaruar Krasniqi.
Zgjidhje për situatën aktuale, pas deklarimeve të ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se është dorëheqja e kryeministri Albin Kurti.
“Pse mos me shku në zgjedhje më shpejt, mendoj që një dalje është çdo herë me ia kthy vendimin sovranit. Ju e dini unë kam dhënë dorëheqje dy herë, në rrethana pak të detyrueshme, por kam dhënë dorëheqje. Do të ishte zgjidhje dorëheqja e kryetarit të qeverisë në situatën në të cilën është sot”, ka thënë Haradinaj, në konferencën ku partia e tij AAK dhe partneri i ri i tij, Nisma, zyrtarizuan marrëveshjen e koalicionit me "Demokracinë Konservatore".
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media, të enjten, ka deklaruar se çështja e dinarit ka ndikuar në raportet me Qeverinë e Kosovës.
SHBA-ja, por edhe shtetet e tjera perëndimore kanë kërkuar që Rregullorja e BQK-së të mos hyjë në fuqi ashtu siç ishte paraparë nga autoritetet e Kosovës, me arsyetimin se nuk është marrë parasysh ndikimi që do të ketë te komuniteti serb, i cili ende pranon pagesa nga Serbia në dinar.
Në Rregulloren e BQK-së, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, euroja përcaktohet si valuta e vetme zyrtare në Kosovë. Ndonëse ka hyrë në fuqi në fillim të shkurtit, zbatimi i Rregullores do të ndiqet nga nja periudhë tranzitore, e cila parasheh disa veprime lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb.