LAJMET E MBRËMJES

Opozita e kërkon dorëheqjen e Nagavcit, e kualifikon propozimin si shembull të keqmenaxhimit

Dorëheqjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e kërkuan përfaqësues të partive opozitare, pasi vlerësuan se propozimi i saj që prindërit të jenë përgjegjës për blerjen e librave shkollorë përbën paaftësi në menaxhimin me sistemin arsimor. Ata theksuan se propozimi i saj ka kosto për 20 për qind më të lartë sesa me anë të blerjes së librave nëpërmjet procedurave të prokurimit

Dështimin e Ministrisë së Arsimit për të arritur marrëveshje me shtëpitë botuese në funksion të blerjes së teksteve shkollore, përfaqësuesit e partive opozitare e kualifikuan si paaftësi në menaxhimin me sistemin e arsimit.

Për këtë shkak, ata adresuan kërkesë që ministrja Arbërie Nagavci të japë dorëheqje nga posti.

Duke e shprehur kërkesën, në LDK argumentuan se blerja e teksteve shkollore nga prindërit ka kosto 20 për qind më të lartë sesa nëpërmjet procedurave të prokurimit.

“Çmimi i librave do të jetë minimalisht 20 për qind më i shtrenjtë. Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci për shkak të keqmenaxhimit, shkeljeve sistematike të ligjeve në fuqi dhe anarkisë së krijuar në sistemin e arsimit. Kosova nuk meriton një ministre që ka dështuar të menaxhojë çdo nivel të arsimit”, tha Jehona Lushaku e LDK-së.

Besianë Musmurati, drejtoreshë për Arsim në Komunën e Prishtinës, nga radhët e Partisë Demokratike, vlerëson se vendimi i Ministrisë do të prodhonte vonesa për fillimin e mësimit, humbje të orëve mësimore, si dhe të parasë së shtetit.

“Propozimi i ri i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e librave është shembulli i fundit dhe më i freskët i keq menaxhimit në arsim, ashtu si edhe në sektorët tjerë. Prindërit gjithandej nëpër Kosovë janë tejet të shqetësuar me situatën e re e cila pritet të krijohet, po shihet se shtatori i dytë nën qeverisjen Kurti po i gjene nxënësit me probleme për të nisur vitin shkollor”, tha Musmurati.

E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se propozimi i Ministrisë është për të nxitur grevat në arsim.

“Vendim është për të provokuar greva, të dëmtojë arsimin publik dhe të krijojë edhe një krizë dhe të dëmtojë financiarisht qytetarin. Kjo situatë mund të përfundojë dhe të ndalet vetëm me shkarkimin e kësaj qeverie”, tha Tahiri.

Ministrja e Arsimit nxiti reagime me njoftimin e bërë të hënën se po shqyrtohet mundësia që prindërit t’i blejnë librat shkollorë me mjetet që do t’iu deponohen nga shteti. Ajo e paralajmëroi këtë mundësi pasi tha se nuk ka arritur të lidhë marrëveshje me shtëpitë botuese, duke i akuzuar ato për ofertim të librave me çmime më të larta se që ato i shesin në libraritë e tyre.