Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se nga të gjitha aplikimet e pranuara, është përmbyllur subvencionimi i 95 për qind të tyre. Sipas saj, janë bërë mbi 183 mijë aplikime për tekste dhe materiale shkollore. Në debatin parlamentar, të mbajtur të enjten, deputetët opozitarë kritikuan ministren Nagavci për vendimin
183 mijë e 349 aplikime për subvencionim të blerjes së teksteve e materialeve shkollore janë bërë deri më 14 shtator, ka njoftuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Arbërie Nagavci, të enjten.
Në debatin parlamentar të ftuar nga opozita, lidhur me sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit, ministrja u akuzua për dështim të procesit e për shkelje të ligjit. Derisa deputetë të opozitës thanë se viti shkollor ka nisur mbrapsht pas vendimit të Ministrisë për subvencionimin e blerjes së teksteve, nga ana e pushtetit veprimet e ndërmarra i paraqitën si sukses.
Sipas ministres Nagavci, nga aplikimet e pranuara, 109 mijë e 381 janë për tekste shkollore, derisa pjesa tjetër për materiale shkollore. Ministrja ka thënë se nga aplikimet e pranuara, subvencionimi është kryer për 95 për qind të tyre.
“Deri sot, më 14 shtator 2023, janë pranuar 183 mijë e 349 aplikime. Prej tyre, 109 mijë e 381 aplikime nga prindërit e nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e pestë, nga 128 mijë sa janë raportuar nga komunat se kanë nxënës në këtë nivel. Janë pranuar 73 mijë 963 aplikime për nxënësit e klasave gjashtë-nëntë për materiale shkollore prej totalit të deklaruar nga komunat 99 mijë e 770 nxënës. Deri më tani nga këto 183 mijë e 349 aplikime, janë kryer subvencionet për 171 mijë e 500 prindër që kanë aplikuar. Pra më shumë se 95 për qind të subvencioneve të atyre që kanë aplikuar”, ka thënë ajo.
Duke folur për subvencionim, Nagavci tha se vendimi është në kuadër të pakos së reformës për përmirësimin e cilësisë në arsimin parauniversitar.
“Ne kemi punuar intensivisht, kemi finalizuar ligjin për tekste mësimore dhe që do të adresojë të gjitha këto parregullsi dhe mbi të gjitha do të mundësojë tekste cilësore...Vendimi i fundit për të subvencionuar prindërit për blerjen e teksteve është një veprim nga pakoja e reformës për përmirësimin e cilësisë në arsimin parauniversitar”, ka theksuar ajo.
Ministrja ka përmendur disa nga keqpërdorimet, sipas së cilës janë bërë nga qeveritë e kaluara gjatë sigurimit të librave.
“125 milionë euro për tekste shkollore, të cilat kanë përfunduar në stoqe në grumbull të librave dhe fletoreve të punës që janë gjetur në bodrumet e shkollave dhe që kanë mbetur të papërdorura dhe pa asnjë analizë. Në raportet publike dhe raportet e auditorit janë konstatuar se ka teprica në stoqet me tekste, që së paku për 1 vit ka qenë vlerë e humbur më shumë se gjysmë milioni euro në stoqe shkollore. Të gjitha tekstet janë dërguar pa analizë dhe është keqpërdorur buxheti”, ka shtuar Nagavci.
Por vendimin për subvencionim, ndryshe e sheh opozita. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka akuzuar Qeverinë për dështim për të siguruar falas tekste shkollore, e që, sipas saj, pasojat janë duke i vuajtur mbi 220 mijë nxënës.
“Nuk mund të mos përmend hipokrizinë e ministres, e cila dy muaj më parë kishte deklaruar se tekstet do të jenë falas. Këtë citat e gjeni në mediat tona në qershor, dhjetë ditë para fillimit të mësimit, e njëjta kishte hequr dorë nga obligimi i saj ligjor duke ua lënë topin e nxehtë në dorë prindërve, për idenë e rimbursimit dhe improvizimit”, ka thënë Hoxha.
Deputeti tjetër i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se sigurimi i sigurimi i teksteve shkollore falas ka qenë politikë për të krijuar barazi në shkollë.
“Dhe për të tejkaluar një lloj hendeku të dijes edhe brenda për brenda shtresave në Kosovë, por edhe në raport me hendekun e dijes që e ka Kosova me vendet e rajonit dhe të BE-së”, ka thënë ai.
Kritika për mënyrën e subvencionimit të bërë nga Qeveria shprehën edhe partitë e tjera opozitare. Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, një veprim të tillë e cilësoi dështim të radhës të ekzekutivit.
“Pas një dekade, ku një nga gjërat për prindërit dhe mësimdhënësit funksiononte mirë ka qenë furnizimi me tekste shkollore. Kjo qeveri bëri hapa prapa”, ka thënë Dumoshi.
E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, kërkoi që përgjegjësit për mossigurimin e teksteve shkollore të vihen para drejtësisë.
“Arsyetime për dështim nuk ka. Përgjegjësit duhet të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, kushdo qofshin ata. Jua përkujtoj që politika nuk është për të penguar dhe për të ngufatur vendin, por është për të ndihmuar dhe për t’i larguar pengesat eventuale”, ka thënë ai.
Sipas tij, ndonëse është ditur numri i nxënësve, çmimi i teksteve dhe shtëpitë botuese, është pritur deri në disa ditë para nisjes së vitit shkollor.
“U desh të pritej dhjetë ditë përpara se të paraqitej ky problem, që të jetë edhe një ngarkesë për librat dhe për nxënësit tanë që ashtu-ashtu janë të pakënaqur me procesin dhe vendin”, ka thënë ai.
Debati për tekstet shkollore u zhvillua në kuadër të seancës së dytë të mbajtur nga Kuvendi, në ditën e parë të nisjes së sesionit vjeshtor. Seanca është ftuar nga deputetët opozitarë pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, për subvencionim të blerjes së librave për nxënësit nga prindërit, në vend se të vazhdojë me praktikën e deritanishme, kur ato janë blerë nga Ministria e shpërndarë më pas falas në shkolla.
Sipas vendimit, për librat e materialet shkollore nxënësit deri në klasën e pestë janë subvencionuar me nga 80 euro, kurse nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën me nga 30 euro për materiale shkollore, meqë librat i kanë marrë nga gjenerata e kaluar.