LAJMET E MBRËMJES

Nxënësit i nënshtrohen pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, krijohet sistem për kopjim

Mbi 23 mijë semimaturantë i janë nënshtruar pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë. Edhe këtë herë u publikuan në rrjete sociale pyetjet e testit që vlerëson njohuritë e nxënësve, të fituara gjatë shkollimit 9-vjeçar. Madje për ta bërë më të lehtë kopjimin, disa persona krijuan një sistem të veçantë për t’i marrë përgjigjet e testit. E disa nga semimaturanët në Prishtinë thanë se patën administrim më strikt të procesit

Në këtë grup të hapur në Viber u shpërndan pyetjet e pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë. Për ta bërë më të lehtë kopjimin, aty u krijua një sistem i veçantë ku nxënësit vetëm me një klikim mund t’i gjenin të renditura përgjigjet e grupit të testit që i nënshtroheshin.

Krejt çka kërkohej nga nxënësit ishte t’i fotografonin testet, e disa të mobilizuar nga shtëpia i shkruanin përgjigjet për secilin grup, në linkun e veçantë.

Përderisa disa përfituan nga ky grup, disa nga semimaturantët në kryeqytet thanë se nuk patën mundësi as të bashkëbisedojnë me njëri-tjetrin gjatë testit.

“Mundësi të komunikojmë nuk patëm, për shkak se arsimtarët që kanë qenë në test kanë qenë shumë strikt, por testi nuk ke shumë i vështirë, deri në një masë. Por personalisht për mua ka qenë i lehtë”, tha Dren Kryeziu, semimaturant në shkollën “Emin Duraku”.

Edhe semimaturanti në shkollën “Gjergj Fishta”, Shendi Berisha theksoi se nuk kanë mundur të kopijojnë me telefona.

“Testi i Arritshmërisë, që ka qenë i ndarë në dy pjesë, ka shkuar sot pjesa e dytë më mirë për mua, sesa në pjesën e parë, sepse kemi qenë më të lirshëm, sidomos me arsimtarët, por prapë nuk kemi mundur me telefona që të kopjojmë...Disa raste kemi mundur e në disa raste jo që kemi pasur edhe raste që kanë dalë prej testit”, tha ai.

Sipas rregullave të administrimit të procesit të testit, nxënësit obligohen t’i dorëzojnë telefonat para nisjes së testimit. Tetëmbëdhjetë nxënësit sa ishin në këtë klasë, dorëzuan trembëdhjetë telefona.

Përveç administrimit të procesit, nxënësit u ankuan se disa nga pyetjet ishin të pakuptimta.

“Këto dy teste kanë qenë shumë ndryshe se testin e parë kanë qenë disa arsimtarë më të lehtë, kurse në testin e dytë kanë qenë më të vështirë, në testin e parë kemi mundur të komunikojmë më lirshëm, kurse në testin e dytë pak si me ndrojtje, nuk kemi mundur aq shumë, por ia kemi bërë disi dhe në test ka pasur pyetje të pakuptimta”, tha Albin Islami, semimaturan në shkollën “Gjergj Fishta”.

Ndërsa semimaturnati Dren Kryeziu ka thënë se disa pyetje kanë qenë pa logjikë.

Meqë testet kombëtare janë shpërndarë çdo vit në rrjete sociale, Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar pezullimin e tyre, duke paralajmëruar se vitin e ardhshëm do të ketë organizim për bojkotimin.

Javën e kaluar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e pranoi se menaxhimi i procesit të këtyre testeve nuk ishte në nivelin e duhur, por përgjegjësinë për rrjedhjen e pyetjeve të Testit të Arritshmërisë ia faturoi nivelit komunal.

Testit që mat njohuritë e fituara gjatë shkollimit 9-vjeçar iu nënshtruan mbi 23 mijë nxënës. Testi nuk ka një prag të kalueshmërisë, por varësisht nga rezultati i fituar nxënësit orientohen në arsimin e mesëm të lartë.