Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Nis zbatimi i projektit që synon identifikimin e automjeteve pa regjistrim

Automjetet që nuk kanë regjistrim do të jenë lehtë të identifikueshme nga autoritetet. Kjo, meqë do t’iu mungojë një letër ngjitëse, me të cilën pronarët do të pajisen në qendra të regjistrimit dhe obligohen ta vendosin në xhamin e përparmë të automjetit të tyre. Përfaqësues të institucioneve thonë se me këtë projekt synojnë ta rrisin sigurinë në rrugë e edhe t’i heqin barrierat për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

Veturat që qarkullojnë pa qenë të regjistruara do të jenë më lehtë të identifikueshme. Nga kjo e martë ka nisur zbatimi i vendimit për të vendosur letra ngjitëse në xhama të veturave, me anë të të cilave do të identifikohen veturat që kanë regjistrim.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e ka quajtur këtë si hap të madh për sigurinë në trafik.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm, një hap shumë i madh me qëllimin e vetëm që përmes këtij projekti të ulim numrin e automjeteve të paregjistruara në Kosovë, që është një pengesë jashtëzakonisht e madhe që ne pastaj të anëtarësohemi në Kartonin e Gjelbër dhe do të kemi benefite shumë të mëdha në të ardhmen”, ka thënë Durmishi.

Në ceremoninë e nisjes së projektit morën pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, dhe drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, të cilët folën mbi efektet e nisjes së projektit.

Guvernatori ka thënë se ky zhvillim do ta rrisë edhe buxhetin.

“Është një hap që të ulet përqindja e automjeteve të pasiguruara, që kjo në rend të parë na hap rrugë që të fillojmë me negociata për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove e që më pastaj do të ketë edhe benefite të tjera: do të rritet buxheti dhe mbi të gjitha është në interes që të ulen aksidentet me fatalitet, të cilat janë shkaktuar prej automjeteve të pasiguruara”, ka thënë Mehmeti.

Në anën tjetër, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit ka theksuar se me automatizëm nuk do të mund të sigurohet anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër.

Edhe Nga sot, automjeteve të regjistruara u vendosen stikersa Arbëri Nga sot, automjeteve të regjistruara u vendosen stikersa

“Anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër është problem politik, e që ka të bëjë me OKB-në, mirëpo si Byro nuk jemi ndalur tek ajo”, ka thënë Mazreku. “Jemi duke parë forma alternative që përmes kanaleve të tjera, përmes një shteti mik, të bëjmë zgjidhje sa i përket Kartonit të Gjelbër”.

Pronarët e automjeteve do të pajisen me letra ngjitëse në qendrat e regjistrimit, të cilët do të mund të merren pa pagesë.

Numri i madh i automjeteve të paregjistruara ka qenë vetëm një nga problemet që Kosovës i është kërkuar t’i zgjidhë para se të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i veturave të paregjistruara në territorin e Kosovës është rreth 150 mijë.