Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vendosja e ngjitësve, mënyra e MI-së për zvogëlimin e veturave të paregjistruara

65 mijë llogaritet të jetë numri i veturave të cilat nuk janë regjistruar në dy vjetët e fundit. Me qëllim të zvogëlimit të kësaj dukurie, Ministria e Infrastrukturës së bashku me Byronë e Sigurimeve e Bankën Qendrore kanë planifikuar disa veprime, në mesin e së cilave është edhe vendosja e ngjitësve në veturat e regjistruara.

Identifikimi i automjeteve të paregjistruara do të jetë më i lehtë nga organet e rendit që nga 1 marsi.

Kjo për shkak të disa ngjitësve të cilët planifikohet t’u vendosen atyre që regjistrohen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një veprim i tillë është pjesë e një grupi masash, që Ministria e Infrastrukturës së bashku me Byronë Kosovare të Sigurimeve thonë se do të ndërmarrin me synimin e zvogëlimit të numrit të veturave të paregjistruara.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është i bindur që me masa të tilla qytetarët do t’i regjistrojnë automjetet e tyre. E kësisoj Kosova do të jetë më afër plotësimit të një nga kritereve për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.

“Pra, çdo veturë që regjistrohet prej datës 1 mars e ka obligative që ta vendosë stickersin, por stickersi është pa kosto, pa pagesë, pa ngarkesë për qytetarët. Brenda një viti, ne do t`i kemi të gjitha automjetet në Kosovë të cilat janë të regjistruara me stickers të vendosur dhe Policia e ka shumë lehtë mandej t’i identifikojë ato të cilat janë të paidentifikuara dhe dalin në komunikacion”, ka deklaruar Durmishi.

Në anën tjetër, nga Byroja Kosovare e Sigurimeve thonë se modalitetet e implementimit të këtij projekti do të vendosen gjatë javës së ardhshme.

Sipas drejtorit të BKS-së, Sami Mazreku, në Kosovë llogaritet që në dy vjetët e fundit 65 mijë vetura nuk janë regjistruara, e të cilat janë në mesin e rreth 200 mijë të tillave sa janë të paregjistruara nga 2002-ta.

“Nëse e bëjmë një llogari të thjeshtë, këto 65 mijë vetura në njërën anë nuk kanë paguar rreth 10 për qind të sigurimit, në anën tjetër byroja çdo vit paguan mesatarisht 5-6 milionë euro dëme të cilat këto vetura i shkaktojnë mirëpo nuk është vetëm dëmi financiar por edhe rreziku”, ka treguar ai.

Naser Lajqi është shefi i departamentit të komunikacionit në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se kushtet që duhet t’i plotësojë një veturë për t’u regjistruar garantojnë sigurinë e lëvizjes në rrugë.

“Një automjet i cili nuk është i regjistruar, ai nuk i ka këto dy elemente, nuk e ka as polisën e sigurimit të një kompanie të sigurimit, në rastin tjetër ai nuk e ka kaluar procedurën e kontrollit teknik, respektivisht të verifikimit të elementeve të sigurisë aktive të ndikojnë drejtpërsëdrejti në shkaktimin e aksidentit, konkretisht në sistemin e frenimit, të drejtimit të cilat janë elemente të domosdoshme”, ka thënë Lajqi.

Projekti për vendosjen e ngjitësve në veturat e regjistruara është mbështetur edhe nga Banka Qendrore e Kosovës.