LAJMET E MBRËMJES

Në ceremoninë e zbehtë, Policia konsiderohet si histori suksesi

Në shënimin e 23-vjetorit të themelit të Policisë së Kosovës, krerët shtetërorë thanë se ky institucion përbën histori suksesi për vendin. Por, patën edhe kërkesa për zyrtarët policorë. Në ceremoninë ku u numëruan edhe sukseset e Policisë, pothuajse gjysma e ulëseve ishin të zbrazëta. Aty munguan edhe ish-drejtorët e këtij institucioni.

Gati gjysma e ulëseve kanë mbetur të zbrazëta në ceremoninë e shënimit të 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës. Në këtë organizim të zbehtë morën pjesë krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, por nuk ishin pothuajse asnjëri nga ish-drejtorët që ndër vite kanë udhëhequr këtë institucion.

Presidentja Osmani vlerësoi besueshmërinë që kanë qytetarët në Polici.

“Ju i keni shërbyer secilit qytetar pa dallim etnie e feje ose dallime të tjera, e jeni gjetur pranë atyre dhe keni krijuar siguri për të jetuar të qetë në vendin tonë. Policia e Kosovës krahas partnerëve të tjerë është kujdesur po kështu që kufijtë e vendit tonë të mbrohen e të mbikëqyren e të jenë pika të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve e asnjëherë pengesë e qarkullimit të tyre. Kësisoj, ju keni ndihmuar në ruajtjen dhe forcimin e sovranitetin të Republikës së Kosovës”, u shpreh presidentja Vjosa Osmani.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmendi rastin e dhunimit të 11- vjeçare dhe ua rikujtoi zyrtarëve policorë rëndësinë e trajtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë e vajzave dhe grave.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe e mirëqenies publike sociale. Andaj, nga ju pritet dhe kërkohet të jeni në nivelin më të lartë të detyrës tuaj kudo në çdo rrugë e çdo cep të vendit. Mbani me përgjegjësi detyrat tuaja, ashtu siç edhe ne si Qeveri i mbajmë përgjegjësitë tona ndaj jush dhe ndaj secilit qytetar të vendit”, u shpreh Kurti.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë, Fehmi Hoti, folën për rezultatet e këtij institucioni.

“Policia e Kosovës me vendosmëri e guxim po ballafaqohet me grupe të tëra kriminale të çdo përkatëse etnike. I kemi shpallur luftë drogës. Janë shkatërruar laboratorë e plantacione të saj, prodhimit ilegal të kriptovalutave dhe janë shkatërruar ato kudo që janë lokalizuar, kontrabandë dhe mallra, me ç’rast janë konfiskuar me qindra e qindra tonelata mallra ilegale dhe janë mbyllur 12 rrugë ilegale”, ka deklaruar Sveçla.

“Nga kjo ceremoni dua të ftoj të gjithë qytetarët që ta rrisin edhe më shumë bashkëpunimin me të gjithë policinë e Kosovës, sepse vetëm me bashkëpunim mund t’i rrisim qëllimet tona për sigurinë e vendit tonë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë, Fehmi Hoti.

Policia e Kosovës vazhdimisht është kritikuar për ndikimin që politika ka pasur në të. Prej kohësh, asnjë drejtor në këtë institucion nuk ka arritur ta përfundojë mandatin pa dhënë dorëheqje ose pa u shkarkuar.