Në ceremoninë kryesore të faljes së Fitër Bajramit, të mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në fjalimin drejtuar besimtarëve, ka përçuar mesazhe për paqe e mirëkuptim. Ai ka thënë se është obligim që të punohet për vendin, e që në perspektivë të jetohet me dinjitet në të. Tërnava pati edhe një porosi ndaj fenomenit të ikjes nga Kosova. Braktisja e vendit, ka thënë ai, nuk është zgjidhja e duhur dhe se qëllimi e misioni i jetës, sipas tij, nuk është vetëm ana materiale
Thirrje për të mos e braktisur vendin e për më shumë dashuri për të ka bërë myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë udhëheqjes së ceremonisë së faljes së Fitër Bajramit, që është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, të premten.
Në fjalimin e tij para besimtarëve, Tërnava ka thënë se kjo festë sjell gëzim e çiltërsi në shpirt, pas muajit të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjëruan.
“E kemi obligim që ta ruajmë dhe ngremë vendin tonë aty ku e meriton ai. Ka dashur Zoti që tash e disa vjet vendi ynë është i lirë dhe i pavarur, mirëpo është obligimi ynë që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me perspektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanët rriten të sigurt e të marrin edukim e arsim cilësor, një vend ku sigurohen vende pune e jetë e dinjitetshme për bijtë e bijat tona”, ka thënë Tërnava.
Myftiu Tërnava u ka folur besimtarëve edhe për sakrificën me qëllim që të kontribuohet për vendin.
“Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë kohë nuk ka për qëllim kryesor e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti vendi ynë me angazhimin tonë të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet”, ka thënë Myftiu.
Ai e ka vlerësuar të çmuar rolin e familjes, teksa ka thënë se një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë është themeli për një shoqëri me vlera e parime fisnike.
Krahas tij, mesazhe për dashurinë për njëri-tjetrin dhe për vendin përçuan edhe qytetarët që morën pjesë në faljen e Bajramit.
“Zoti na i bëri të mundur që ta përfundojmë këtë ibadet. Ua uroj të gjithë myslimanëve Fitër Bajramin, edhe dashuri e lumturi të kenë në jetën e përditshme”, ka uruar një qytetar pas lutjes.
Pas faljes së Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, teologu Muhamed Stuballa mbajti ligjëratën kushtuar kësaj feste.